DARDAN BERISHA
Gjithçka fillon nga zero
14 April, 2016 @13:59
Basketbollisti më i dalluar i Sigal Prishtinës dhe MVP i stinorit të kaluar në ligën ballkanike, Dardan Berisha, në një bisedë me faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka thënë se në ndeshjen finale të kthimit ndërmjet Mornarit dhe Sigal Prishtinës, gjithçka fillon nga zero.
Ai është shprehur i kujdesshëm para këtij takimi, përkundër se Sigal Prishtina arriti fitore me 14 pikë epërsi në përballjen e parë finale të zhvilluar në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” të martën mbrëma.
“Mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë në ndeshjen e parë. Kemi shënuar fitore të rëndësishme para publikut tonë në një atmosferë fantastike. Por, tani gjithçka fillon nga zero, sepse kjo është vetëm pjesa e parë e finales dhe e dyta është në javën që vjen në Tivar,” ka thënë fillimisht Berisha.
“Ne do të punojmë fortë sepse jemi afër realizimit të synimit dhe duhet të japim maksimumin për të fituar trofeun e dytë me radhë në BIBL. Nuk do të jetë lehtë, pasi që Mornari nuk dorëzohet. Megjithatë, unë jam optimist sepse nëse luajmë me mbrojtje të fortë dhe sulm siç dimë ne atëherë do të mbrojmë titullin e fituar një vit më parë,” ka shtuar ai.
Dardan Berisha ishte larguar nga Sigal Prishtina me përfundimin e edicionit të kaluar të garave, ku shkoi te Cibona e Zagrebit. Mirëpo, atje aventura e tij nuk zgjati shumë. Dardani iu rikhye bardhekaltërve nga kryeqyteti, ndërsa nga shkurti i këtij viti ka kapur formën e tij të stinorit të kaluar dhe tashmë bashkë me Mohamed Abukarin dhe Jason Washburnin është lojtari kryesor i skuadrës në kërkim të përsëritjes së sukseseve nga viti i kaluar.
Dardani aktualisht ka mesatare prej 18.7 pikëve të shënuara këtë stinor në BIBL, 4.9 kërcime dhe 4.6 asistime për ndeshje.