PAS FINALES
Gjobitet Todorov dhe KB Peja
23 February, 2017 @18:40
Në Informatorin e finales së Kupës së Kosovës, Komesari i Garave të FBK-së ka bërë të ditur përmes njoftimit në faqen zyrtare të Federatës se është gjobitur trajneri Aleksandar Todorov dhe KB Peja.
“KB Peja gjatë ceremonisë së ndarjeve të medaljeve, me të pranuar medaljet e tyre janë larguar nga fusha, duke mos e pritur pranimin e medaljeve të ekipit fitues dhe Kupës, Sigal Prishtinës. Përkundër ftesës së Komesarit të Garave të FBK-së drejtuar trajnerit të KB Peja, Aleksandar Todorov, i njëjti nuk ka pranuar të kthehet në ceremoni, duke mos e respektuar ekipin kundërshtar dhe ceremoninë, andaj ky veprim konsiderohet si josportiv dhe për këtë arsye A. Todorov, Konform Nenit 50.4 dënohet me 300.00 euro,” thuhet në arsyetimin e gjobës për trajnerin e KB Peja.
Ndërsa klubi është dënuar për:
“Sjelljet e shikuesve: Sipas Propozicioneve të Garave, Neni 28.2: Organizatori është i obliguar që në kërkesë me shkrim të ekipit mik dhe pas dhënies së pëlqimit me shkrim nga Komesari i Garave, 72 orë para fillimit të ndeshjes, të sigurojë bileta për shikuesit e saj. Komesari i Garave mund të japë pëlqimin e tij ose jo, pas konsultimit me organet e sigurisë. Parashtruesi i kërkesës e mban përgjegjësinë për shikuesit e vet dhe i nënshtrohen sanksioneve sikurse edhe vendësi për mos respektimin e Propozicioneve të Garave.
Me kërkesë të KB Peja në ndeshjen finale në palestër kanë qenë prezent shikuesit e saj, nga të cilët ka pasur hudhje të gjësendeve të forta, të cilat mund të shkaktojnë lëndime dhe për këtë arsye KB Peja mbanë përgjegjësinë për shikuesit e saj dhe Konform Nenit 49.3 dënohet me 300.00 euro,” shkruan në gjobën që është drejtuar për klubin verdhezi.