SELEKTORI NË KONFERENENCË
Greenberg: Do të luajmë me shpirt
27 June, 2018 @16:55
Selektori i Kosovës, Brad Greenberg, në konferencën për shtyp para dy ndeshjeve kualifikuese ka treguar se gjithçka do të jetë më vështirë tash për ekipin, për shkak të gjendjes emocionale.
Ndërsa ka bërë të ditur se në fushë lojtarët do të luajnë me shpirt, ashtu siç edhe Gazmendi Sinani e ka dashur jetën me plot shpirt.
“Mendimet tona janë me familjen e Gazit dhe të tjerë që janë lënduar në aksident. Pas aksidentit të gjithë kemi qenë në shok dhe nuk kemi menduar për basketboll.
Ne sot kemi stërvitur për herë të parë dhe as paraqitja në parket nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne e veçanarisht për lojtarët.
Të enjten kundër Hungarisë dhe të dielën kundër Polonisë do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Është e rëndësishme ta theksoj se grupi po mundohet ta përballoj situatën duke qëndruar i bashkuar dhe lirisht mund të them se karakteri i grupit është vërtetë i lartë.
Do të bëjmë përpjekje të hyjmë në fushë dhe të luajmë me shpirt, ashtu siç edhe Gazi e ka dashur jetën me plot shpirt.
Këto janë momente të vështira për të gjithë ne, por vetëm kështu të bashkuar mund t’ia dalim”.
Duelet e Kosovës ndaj Hungarisë dhe Polonisë, në kuadër të Grupit C kualifikues nga FIBA Europe - mund të ndiqen falas në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Kosova - Hungaria luhet nesër më 28 qershor dhe fillon në ora 20:30, ndërsa Kosova - Polonia luhet më 1 korrik me fillim në ora 20:30.
Kosova ende nuk ka shënuar asnjë fitore në Grupin C, pasi që ka kaluar fazën preliminare të kualifikimeve.