PRIZRENI - VLLAZNIA

Hajdari 31p. Prizreni kalon ngushtë Vllazninë
14 November, 2021 @18:56
Basketbollisti pejan Arti Hajdari ka shënuar 31 pikë në përballjen ku Prizreni mposhti Vllazninë me rezultat të ngushtë 100-96 [30-24, 18-16, 21-20, 31-36].
E tërë pesëshja e parë e ekipit të Arbnor Rifatit ka shënuar pikë dyshifrore në një lojë, ku dallimi kryesor u bë në çerekun e parë, ndërsa në atë të fundit shkodranët u afruan shumë, por s’patën mundësi për befasi.
Qendra Urim Zenelaj kreu ndeshjen me double-double prej 18 pikëve dhe 13 kërcimeve, ndërsa Ivan Koljevic dha 15 pikë krahas 14 asistimeve për fitore.
Te shkodranët me nga 21 pikë të shënuara më efikasit kanë qenë Jonathan Stove dhe Mathew Butler. I pari bëri edhe 8 kërcime e 5 asistime, ndërsa i dyti shtoi edhe 5 kërcime në llogari të tij.
Pas kësaj ndeshjeje Prizreni ka bilans 3-1 në Ligën Unike, ndërsa Vllaznia 1-3.