MEDIA
Shtyhet edhe Trepça-Teuta!!!
15 November, 2022 @23:01
Pas përballjes Ylli-Tirana, për të cilën u bë e ditur se nuk do të zhvillohet nesër sipas orarit të paraparë në Ligën Unike, tashmë sipas Koha.net edhe ndeshje Trepça-Teuta nuk do të zhvillohet këtë mesjavë.
Kjo ndeshje ka qenë e paraparë të zhvillohet të enjten në Minatori me fillim prej orës 19:00. Njoftimin për Kohën e ka konfirmuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Në arsyetim është thënë se ekipet nga Shqipëria nuk janë ende gati!
Derisa asnjë ekip nga Shqipëria nuk do të udhëtojë në Kosovë këtë mesjavë për ndeshjet e parapara, e kundërta ndodh me ekipet nga Kosova të cilat do të udhëtojnë për përballjet e tyre drejt Shqipërisë, ku Apollonia pret Prizrenin ndërsa Kamza Pejën!
Te skuadra e Teutës në llogaritë e rrjeteve sociale as që ka pasur ndonjë njoftim për pjesëmarrje e as për ndonjë ndeshje të Ligës Unike në dy muajt e fundit.
Kujtojmë, Teuta nuk udhëtoi në Mitrovicë as për përballjet e Superkupës Mbarëkombëtare që organizohet nga Liga Unike, ku është dashur të luajnë ndaj Tiranës në gjysmëfinale. Këta të fundit shkuan në finale, ku u mposhtën nga Trepça, që fitoi trofeun e parë të këtij stinori - edhepse më parë s’kishte marrë pjesë në këtë Ligë, derisa stinori 2022/23 është debutues për ta në këtë ligë.