FITORE E MADHE, TASH KËRKOHET KUALIFIKIMI!
Hajrizi e Tmusic shkëlqejnë në fitoren shpresëdhënëse për Trepçën në FEC
4 October, 2023 @21:47
Trepça ka arritur të shënojë fitore me tetë pikë dallim ndaj ekipit islandez Tindastoll, sonte në kuadër të grupit kualifikues për fazën grupore të FIBA Europe Cup. Basketbollistët e drejtuar nga Adis Beciragic kanë luajtur mirë në mënyrë ekipore, ndërsa Drilon Hajriz dhe Mikaile Tmusic, secili në mënyrën e vetë kanë qenë ndër më të dalluarit në fitoren, që ekipi mitrovicas, fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës të fitojë ndeshjen me rezultat përfundimtar Tindastoll 69-77 Trepça.
Pjesa e parë, ndonëse me dallim të vogël kaloi në të mirë të Tindastollit që kishte shkuar në pushim pjesëlojësh me 5 pikë dallim, 39-34. Mirëpo në pjesë të dytë, e veçanërisht në çerek të katërt Trepça shfaqi lojë të pjekur për të siguruar fitoren e rëndësishme, që tash në ndeshjen e radhës u jep shpresa për të shkuar në fazën grupore të garës. Çereku i tretë u mbyll 14-16, ndërsa ai i katërt 16-27 në të mirë të nënkampiones së Kosovës.
Më së shumti minuta në ndeshje kishte Kevin Bracy-Davis, 36, mirëpo Drilon Hajrizi luajti shkëlqyeshëm, duke shfaqur përvojën e tij për 29 minuta lojë, ku dha 18 pikë, 4 asistime e 6 kërcime, shto këtu edhe 5 topa të rrëmbyer për të kryer ndeshjen me indeks efiçence, 24. Davis luajti me 15 pikë e 7 kërcime.
Koshashënuesi më i mirë te Trepça ishte reprezentuesi Mikaile Tmusic, që kreu lojën me 22 pikë. Ai shutoi me 50% saktësi për tri pikë, 3/6, ndërsa bëri edhe 1 asistim e 4 kërcime në fitore. Erjon Kastrati dha 10 pikë, ndërsa 7 pikë të tjera i shënoi Amin Hot.
Trepça ndeshjen e fundit dhe vendimtare për të dalë nga Grupi C kualifikues do ta luajë ndaj Parnus estoneze nesër. Mitrovicasit duhet të fitojnë këtë ndeshje për të shkuar tutje dhe për të fituar grupin, ndonëse kanë edhe mundësi që me një humbje deri në 6 pikë të arrijnë kualifikimin.
REZULTATET E GRUPIT:
Parnu 62-69 Tindastoll
Tinadstoll 69-77 Trepça
Trepça 05.10.23 Parnu.
TABELA AKTUALE:
1. Tinastoll 1-1
2. Trepça 1-0
3. Parnu 0-1.