KOSOVA - MAQEDONIA
Humbje, që mund ta eliminojë Kosovën
13 September, 2018 @22:28
Në takimin e parë në kuadër të parakualifikimeve drejt EuroBasket 2021, takim që u zhvillua në sallën e mbushur me tifozë në Prishtinë, Kosova u mposht me rezultat 73-76 nga përfaqësuesja e Maqedonisë.
Në pjesën e parë, epërsia ishte gjatë gjithë kohës në anën e maqedonasve, të cilët përmes një numri tejet të madh të kërcimeve në fazën e sulmit, ishin vazhdimisht dominues në rezultat. Në anën tjetër, Kosova kishte probleme të dukshme në mbrojtje, e në sulm në këtë pjesë u dalluan Dardan Berisha me 10 pikë, Lis Shoshi me 8 e Erjon Kastrati me 7. Pas 20 minutave lojë, rezultati shënonte 29-34 në të mirë të Maqedonisë, e cila udhëhiqej nga 9 pikët e Damjan Stojanovskit, i cili kishte 3 trepikësha të shënuara në 20 minutëshin e parë.
PARAKUALIFIKIMET EUROBASKET 2021
E çereku i tretë ishte shumë i mirë për Kosovën. Me mbrojtje më të mirë dhe me gjuajtje më të sakta, Kosova arriti të jetë në epërsi pas këtij çereku. Fillimisht, epërsia e parë e Kosovës në këtë ndeshje erdhi pas 26 minutave, 41-39, e më pas rezultati pas 30 minutave lojë shënonte 49-48.
Më pas, çereku i katërt ishte tejet dramatik, sidomos në momentet e fundit. Maqedonia u përmirësua shumë në krahasim me çerekun e tretë dhe arriti ta rikthejë epërsinë në anën e saj, mirëpo ishte kapiteni Dardan Berisha ai që bëri që ndeshja të ketë fund tejet dramatik. 8 sekonda para fundit, kur rezultati ishte 71-74, pikërisht Dardan Berisha humbi një nga tri gjuajtjet e lira, duke mos arritur ta barazojë rezultatin, e më pas maqedonasit nuk gabuan në gjuajtjet e tyre të lira. Kështu, ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 73-76 dhe Kosova u detyrua të pajtohet me humbje, përkundër luftës së fortë deri në fund.
Më i dalluari te Kosova sonte ishte i zakonshmi Dardan Berisha me 32 pikë, 6 kërcime e 4 asistime, derisa te Maqedonia u veçua Bojan Trajkovski me 17 pikë, 11 kërcime, 2 asistime dhe 1 vjedhje të topit.
Pak para fundit të ndeshjes, lëndim në gju te Kosova pësoi Erjon Kastrati, lëndim i cili shpresojmë të mos jetë serioz.
Kjo humbje, që u pësua në shtëpi, zvogëlon dukshëm gjasat e Kosovës për t’i kaluar grupet.
Ndeshjen e ardhshme në kuadër të parakualifikimeve drejt EuroBasket 2021 Kosova e luan si mysafire e Rumanisë më 29 nëntor.