VJEN TRAJNERI I RI
Igor Mihajlovski - trajner i ri i KB Prizrenit
18 January, 2024 @10:42
Trajneri nga Maqedonia e Veriut, Igor Mihajlovski, është emëruar trajner i ri i Proton Cable Prizrenit në Superligë të Kosovës. Në njoftimin e lëshuar mbrëmë, KB Prizreni ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me trajnerin verimaqedonas, për të drejtuar ekipin në vazhdim të stinorit.
Mihajlovski 50 vjeçar përgjatë karrierës së tij si trajner ka punuar në ekipe si Kumanova, Kozuv e Rabotniçki (ndihmës-trajner). Ai përgjatë karrierës së tij nuk ka drejtuar ndonjë ekip jashtë vendit të tij dhe Prizreni do të jetë aventura e parë në një shtet tjetër.
KB Prizreni që nisi stinorin me trajnerin turk Tuncay Bostanci është në pozitën e parafundit të renditjes tabelare, ndërsa aktualisht ka bilanc 5-12. Mihajlovski do të debutojë në derbin lokal ku Prizreni luan ndaj Bashkimit në xhiron që vjen, ndërsa punën me ekipin e nis sot.
Përndryshe, Mihajlovski një dekadë më parë si trajner i Kumanovës dhe në vitin 2017 si trajner i Kozuvit ka drejtuar ekipet verimaqedone ndaj ekipeve të Kosovës, Pejës e Prishtinës.