KRYEQYTET!
Pas stërvitjes me trajnerin e ri, Prishtina paralajmëron “lajme bombastike”
17 January, 2024 @14:03
Ditë më parë Prishtina bëri të ditur se ka angazhuar trajnerin kroat Jaksa Vulic në krye të ekipit, ndërsa mbrëmë botoi fotografinë pas stërvitjes së parë të ekipit me trajnerin në fjalë.
Pos të tjerash, Prishtina bëri të ditur se do të ketë edhe lajme bombastike nga klubi që pritet të ndërrojë rrjedhën e ligës, pasi që deri tash Trepça e Peja po shihen si ekipet më të fuqishme në parket - së paku, rezultatet ashtu tregojnë.
“Lojtarët tanë kanë mbajtur stërvitjen e parë nën urdhërat e trajnerit Jakša Vulić, i cili do ta udhëheqë skuadrën drejt synimeve të qarta.
Gjatë ditëve në vijim, na presin Lajme Bombastike dhe Gjëra t’Çmueshme,” shkroi KB Prishtina në njoftim, pa bërë specifikisht të ditura “synimet e qarta” por që lë të kuptohet se dëshiron rikthimin te trofetë.
Prishtina që nisi stinorin me trajnerin lituanez Zydrunas Urbonas e vazhdoi me Albert Sylejmanin, që riktheu ekipin në binarë. Ekipi së fundi u ngrit në pozitë të tretë, duke e lënë pas Yllin. Para saj në renditje janë Trepça dhe Peja, ndërsa shpejt do të luhet edhe turneu final i Kupës “Final 8” që pritet të ndezë të gjitha skuadrat në rivalitetin sportiv për të arritur te trofeu i parë i vitit 2024.
Periudhë më të gjatë pa titull kampioni (4 stinorë - prej të cilave një i ndëprerë për shkak të pandemisë) Prishtina nuk ka pasur asnjëherë prej pasluftës. Ngjajshëm, në dy vitet e fundit Prishtina nuk ka fituar as Kupën e Kosovës.
Tash, mbetet të shihen “lajmet bombastike” të Prishtinës për të shikuar më pas ecurinë e tyre si në Kupë ashtu edhe në kampionat.