ISTOGU MERR LEHTE AVANTAZHIN
Istogu me 40+ mposht NewBasketin në ndeshjen e parë
17 March, 2023 @22:14
Ka përfunduar edhe ndeshja e parë e gjysmëfinales së dytë sonte të PlayOffit të Ligës së Parë, ku lideri i stinorit të rregullt Istogu nuk ka pasur fort telashe ndaj NewBasketit për të fituar ndeshjen dhe për të marrë epërsinë 1-0 në PlayOff.
Skuadra e drejtuar nga Fikret Shatri ka shënuar fitore të thellë, 116-72 [27-22, 18-24, 40-12, 31-14] ndërsa Mirlind Zekaj dhe Arian Azemi kanë qenë koshashënuesit më të mirë të ekipit, ku i pari ka shënuar 22 pikë, ndërsa i dyti 21.
Azemi përndryshe kreu lojën më triple-double prej 21 pikësh, 12 asistimesh e 10 kërcimesh, ndërsa fitores mjaft i kontribuoi edhe Nderim Januzaj me double-double prej 18 pikësh e 11 kërcimesh.
NewBasket, që ishte rival i barabartë vetëm gjatë pjesës së parë të ndeshjes, tash duhet të provojë rikthimin në ndeshjen e dytë, ndërsa sonte Visar Ejupi me 22 e Hajriz Hazeri me 20 pikë kanë qenë më të dalluarit.