ISTOG
Istogu për herë të parë merr një amerikan
14 January, 2021 @15:05
KB Istogu që po përgatitet vrullshëm për pjesën pranverore të stinorit në Ligë të Parë të basketbollit, para pak çastesh zyrtarizoi basketbollistin amerikan Terrick Phillips.
Kjo është hera e parë që në Istog zbarkon një amerikan dhe është përforcimi i parë i huaj në histori të këtij klubi.
Por, Phillips nuk është për herë të parë në Kosovë. Ai ka qenë gjatë stinorit të kaluar te Vëllaznimi i Gjakovës, por që për shkak të pandemisë u detyrua të largohet pasi që kampionati u ndërpre.
Terrick luan në pozitat 2 dhe 3 dhe pritet të jetë ndihmesë e madhe për klubin e Istogut, që tashmë duket qartë se ka synim rangun më të lartë të garave të Kosovës në basketboll.
“Klubi ynë zyrtarizon edhe transferimin e tretë këtë afat kalimtar. Duke i parë synimet tona të qarta, jemi duke u angazhuar për mobilizim më të madh të ekipit. Terrick Phillips vjen nga Amerika dhe kjo është hera e parë që në klubin tonë vjen një amerikan për të luajtur,” ka shkruar njoftimi i klubit duke zyrtarizuar lojtarin në fjalë.
Terrick Phillips do të arrijë në Istog të hënën e ardhshme, kur edhe pritet të njoftohet me ambientet e klubit dhe ekipin e tij të ri, për të cilët do të paraqitet në pjesën pranverore të stinorit.