IBRAHIM KARABEG
Jemi gati, tash duhet të tregohemi në parket
Teksti: FBK
17 July, 2018 @16:33
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018.
Në një konferencë për media të organizuar sot në zyre të FBK-së të pranishëm ishin, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, përzgjedhësi i Kosova U18, Ibrahim Karabeg dhe basketbollisti i Kosova U18, Meriton Ismaili.
Dushku ka folur rreth përgatitjeve organizative të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, ndërsa Karabeg dhe Ismaili kanë folur për përgatitjet ekipore dhe synimet në këtë Kampionat.
“Përgatitjet për këtë Kampionat i kemi filluar para një muaji e gjysmë dhe gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe programit të paraparë. Atmosfera është shumë e mirë në skuadër, djemtë po e japin maksimumin, stafi teknik është duke e kryer detyrën me përpikëri dhe tani na mbetet vetëm që të hyjmë në parket dhe të tregojmë më të mirën për të nxjerr rezultat pozitiv. Unë jam optimist se Kosova do të triumfoj në këtë Kampionat dhe që nga viti 2019 do të luaj në një rang më të lartë, pra në Divizionin B”, - kanë qenë fjalët e selektorit Karabeg, gjatë konferencës.
Duhet theksuar se 9 shtete janë pjesëmarrëse të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë.
Në Grupin A bëjnë gara: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monako, kurse në grupin B janë: Qipro, San Marino, Kosova dhe Gjibraltari.