TË KUQTË ME BESIM TË PLOTË TE TRAJENERI
SC Gjilani me mbështetje të plotë për Ardian Nuhiun
12 November, 2024 @23:32
Pas barazimit të fundit, ndaj Suharekës në fundjavën që e lamë pas, Ardian Nuhiu trajner i Gjilanit ka kërkuar që klubi të rishqyrtojë pozicionin e tij.
Nuhiu që erdhi te Gjilani për të ndërtuar skuadrën konkurruese për gara evropiane, nuk po merr rezultate të pritura këtë stinor. Gjilani ka vetëm tre fitore, derisa ka pesë barazime e pesë disfata në 13-të xhirot e para të stinorit dhe është në pjesën e poshtme të tabelës.
Por, pas diskutimeve dhe analizës së situatës Bordi i SC Gjilanit ka vendosur që t’i jep mbështetjen e plotë dhe besimin e plotë për kryetrajnerin dhe stafin e tij. Bile, siç ka thënë komunikata e Gjilanit “ata kanë dhënë kontribut të posaçëm në ndërtimin e ekipit”.
“Besojmë fuqishëm në kryetrajnerin Nuhiu dhe stafin teknik që kanë aftësinë dhe vendosmërinë e duhur për të vazhduar këtë rrugë dhe për të kapërcyer çdo sfidë që mund të hasim.” — është thënë ndër të tjera në komunikatë.
I teti në renditjen tabelare të Superligës me 14 pikë, pushimi dhjetëditor i ligës mund t’i jep mundësi për punë përmirësimi të rezultateve për të kuqtë e Anamoravës. Katërshja e parë në tabelë, ka prej 21-25 pikë, pret të katërtit te lideri. Pas pushimit, Gjilani udhëton te Feronikeli’74 ndërsa në xhiron e 15-të pret Malishevën.