DRITA LIDERE!
Drita kap momentumin, mposhti Ferizajin dhe mori kreun
10 November, 2024 @19:56
Drita ka shënuar fitore ndaj Ferizajit sot si mysafir për të dalë në krye të renditjes së Superligës me 25 pikë nga 12 ndeshje. Pjesa e parë ka qenë shterpe në ndeshje me disa gjysmëraste, ndërsa në pjesë të dytë ekipet u aktivizuan.
Vendasit e drejtuar nga Arsim Abazi morën epërsinë në saje të golit të Betim Haxhimusës, pas një aksioni të mirë organizuar, ndërsa futbollisti ferizajas nuk festoi golin ndaj ish-ekipit të tij. Ai u asistua nga Albion Kurtaj, ndërsa aksioni u nis nga kapiteni i shkëlqyeshëm i skuadrës, Edon Sadriu.
Por, epërsia e Ferizajit nuk zgjati shumë. Drita u këndell, nxorri penallti që u vërtetua nga VAR dhe me Besnik Kransiqin e pagabueshëm barazoi. 11-metërshi u fitua pasi që Arb Manaj u ndalë në zonë nga Ermin Imamovic. Shpejt, Krasniqi asistoi edhe në golin e fitores, në momentumin që kishte kapur Drita pas golit të barazimit.
Gjuajtje e lirë dhe qendërmbrojtësi Bejtulai shënoi me kokë për fitore: Ferizaji - Drita 1-2 [Betim Haxhimusa 60’ - Besnik Krasniqi 68’pen., Egzon Bejtulai 72’]. Deri në fund të ndeshjes, Drita kishte edhe dy raste të mira për shënim, por në të dyja rastet nuk arritën. Njëherë Blerim Krasniqi qëlloi shtyllën e vendasve me kokë (80’), ndërsa në kohën shtesë Ibrahim Salifu s’arriti gjithashtu me kokë, ta konkretizojë pasimin e Blerim Krasniqit zëvendësues (90’+2).
Fitorja, çon Dritën në krye të tabelës. Gjilanasit e drejtuar nga Zekirija Ramadani tash kanë 25 pikë nga 12 ndeshje të luajtura pas 13 xhirove. Ndërkaq Ferizaji është i nënti, i parafundit në tabelë, me 14 pikë nga 13 ndeshje të luajtura. Skuadrat pas kësaj fundjave, shkojnë në pushim 10-ditor për shkak të ndeshjeve të reprezentacioneve në kuadër të Ligës së Kombeve.