NUK KA FITUES NË "ZAHIR PAJAZITI"
Limani shpëton Prishtinën me barazim ndaj Llapit
10 November, 2024 @19:17
Nuk është gjetur fituesi në “Zahir Pajaziti” edhe pse Llapi ishte shumë më afër saj. Përkundër epërsisë në pjesë të parë dhe dy rasteve të mira tjera, ekipi i Tahir Batatinës krejt në fund të ndeshjes, falë një momenti nuk ka arritur te tre pikët sot ndaj kryeqytetasve të drejtuar nga Jean-Michel Cavalli.
Llapi barazoi me Prishtinën 1-1, ndërsa ka qenë goli i Ardian Limanit në kohën shtesë që ka sjellë gëzim të madh te mysafirët e zhgënjim edhe më të madh te vendasit, që ishin shumë afër fitores. Llapi - Prishtina 1-1 [Ilir Blakçori 31’ - Ardian Limani 90’+2].
Pas një rasti të mirë që kishte Valmir Veliu (27’) kur tentoi me kokë nga afërsia dhe nuk gjeti portën nga një top i pranuar nga Ahmed Januzi, ai futi topin në zonë fortë për toke për ta gjetur në shtyllë të dytë Ilir Blakçorin e palodhshëm që shënoi për epërsi.
Prishtina nuk u këndell as në pjesë të dytë, ndërsa Llapi dukej më kërkues. Por ndonjë rast konkret për tu theksuar nuk patën asnjëra. Derisa, në minutat e fundit të ndeshjes, gjatë kohës shtesë falë insistimit të të rinjve prishtinas, kur Ron Raçi luftoi për top, ndërsa Dion Gallapeni hyri në zonë për të krosuar fortë, ishte qendërmbrojtësi me përvojë Limani që nga afërsia barazoi!
Prishtina arrin kuotën e 21 pikëve pas kësaj ndeshjeje, të 13-të sezonale, derisa Llapi bëhet me 16 pikë dhe është në pozitë të shtatë.