Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - MALISHEVA

Mjafton goli i Adetunjit, Ballkani mposhtë Malishevën

Foto: FC Ballkani / FB

Mjafton goli i Adetunjit, Ballkani mposhtë Malishevën


11 November, 2024 @14:58

Në ndeshjen e fundit të Superligës para pushimit të kombëtareve, Ballkani e mposhti Malishevën me rezultat minimal 1-0 (Sunday Adetunji 38’).

Ndonëse u ballafaquan dy prej skuadrave më të mira të ligës, ndeshja që pamë la shumë për të dëshiruar. Për t’u veçuar nga të dyja skuadrat sot ishte vetëm Lindon Emërllahu, që edhe një herë tjetër dëshmoi se pse është njëri prej lojtarëve të vetëm të Superligës që ftohet nga Kombëtarja e Kosovës.

Pjesa e parë prodhoi tejet pak raste për shënim. Vendasit krijuan shumë pak, e mysafirët pothuajse asgjë.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 38’. Pas një shpërqëndrimi të fazës mbrojtëse mysafire, Sunday Adetunji shënoi me të djathtën për 1-0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Asistues te ky gol ishte Queven Inacio.

Moment për t’u përmendur nga pjesa e parë ishte ai i minutës së 22’, kur një prekje e dyshimtë me dorë nga Besnik Ferati i Malishevës bëri që vendasit të kërkonin me ngulm penallti. Gjyqtari kryesor i ndeshjes e rishikoi rastin me VAR dhe vendosi që të mos akordonte penallti.

TABELA AKTUALE

Bekim Isufi e filloi pjesën e dytë me një zëvendësim ofansiv. Pjesën e parë Malisheva e luajti pa sulmues tipik, e me të filluar pjesa e dytë, sulmuesi Fatjon Bunjaku hyri në vend të mesfushorit Besnik Ferati.

Megjithatë, ky zëvndësim ofansiv dhe disa të tjera më vonë nuk i bënë punë Malishevës. Mysafirët nuk ishin aspak të rrezikshëm sot, e vendasit e menaxhuan mirë epërsinë e krijuar nga pjesa e parë dhe e mbyllën ndeshjen me fitore minimale.

Përveç humbjes, lajm jo i mirë për Malishevën nga ky takim është edhe lëndimi i kapitenit Dren Kryeziu, i cili u detyrua të largohet nga loja në minutën e 86’ për shkak të lëndimit.

Me një ndeshje më shumë të luajtur se Drita, falë golaverazhit Ballkani i prin ligës, duke pasur pikë të barabarta me skuadrën gjilanase, kurse Malisheva është e treta me tri pikë më pak.

Pas pushimit të kombëtareve, Ballkani luan si mysafir i Prishtinës, kurse Malisheva e pret Dukagjinin në “Liman Gegaj”.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga