FRIKA NGA DËNIMET DHE RRUGËTIMI KUALIFIKUES
Rumania fton publikun për përkrahje korrekte ndaj Kosovës
12 November, 2024 @19:16
Përmes një njoftimi të lëshuar në llogarinë zyrtare të reprezentacionit rumun të futbollit, Federata e Futbollit e Rumanisë (FRF) ka bërë të ditur që kërkon anim korrekt nga tifozëria para ndeshjes ndaj Kosovës.
Rumania në disa raste është dënuar nga UEFA-ja për pankartat anti-Kosovë të tifozëve. Tifozëria rumune, ajo pjesa e zjarrët, zakonisht publikon pankartat sikur ato të serbëve, që konteston shtetësinë e Kosovës. Bile, përballja e kaluar ishte ndërprerë për rreth 40 minuta për shkak të sjelljes së tërbuar të tifozëve.
Kështu, FRF ka kërkuar që tifozët të:
-Këndojnë me zë i tërë stadiumi himnin rumun,
-Në stadium të jetë atmosfera sikurse në EURO 2024,
-Fitorja, i sjell 3 pikë dhe vendin e parë në grup,
-Vendi i parë, hap rrugë të rëndësishme për Botërorin e ardhshëm.
Ndërsa FRF ka kërkuar që tifozët të mos:
-Adresojnë mesazh gjeo-politike në tribuna,
-Thirrje raciste,
-Shkaktojnë trazira për ndërprerje të ndeshjes, që mund të çojë në suspendim dhe rrezikim të vendit të parë në grup,
-Pengojnë ecurinë e reprezentacionit në rrugëtim për Botërorin e ardhshëm.
Përndryshe, prej se Kosova është pranuar në UEFA e FIFA, është ndeshur tre herë me Rumaninë. Kosova asnjëherë nuk ka arritur të mposhtë këtë kombëtare, ndërsa ka dy humbje në proces dhe një barazim në “Fadil Vokrri” me rumunët. Aktualisht Kosova e Rumania po luftojnë për vend të parë në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve. Fituesi i grupit siguron kalimin në Ligën B të Kombeve dhe mund të shpresojë në pjesë të playoffit për Botërorin e radhës, nëse nuk arrin këtë në rrugën e rregullt kualifikuese.
Rumania me Kosovën ndeshen më 15 nëntor me fillim prej orës 20:45. Përballjen e parë të grupit në këtë edicion të Ligës së Kombeve, Rumania e fitoi me rezultat 0-3 dhe ka përparësi të dukshme me këtë goldallim.