SUPERLIGA

Kalkulimet për mbijetesë apo rënie, në Superligë
29 March, 2021 @19:49
Kur jemi dy xhiro para fundit, situata në fundin e tabelës në Superligën e basketbollit është mjaft interesante.
Këtë sezon, prej 8 ekipeve, 6 shkojnë në Play Off, skuadra e shtatë shkon në barazh (Play Out), kurse vendi i fundit bie direkt nga liga. Në Play Out, skuadra e parafundit e Superligës takohet me finalistin e Play Off-it të Ligës së Parë.
Momentalisht, në garë matematikisht për mbijetesë janë Bashkimi, Trepça, Prishtina dhe Vëllaznimi. Më e qetë është skuadra e Bashkimit, që e ka të siguruar të paktën Play Out-in, kurse tri të tjerat rrezikojnë edhe rënien direkt nga elita e basketbollit kosovar.
Në renditjen aktuale, Trepça ka 36 pikë, kurse Prishtina e Vëllaznimi ndodhen në pozitat 7 e 8 me nga 35 pikë secila.
Rregullorja:
Sipas Propozicionit të Garave, nëse skuadrat e mbyllin sezonin me pikë të barabarta, më lart renditet skuadra që ka bilanc më të mirë në përballjet direkte.
Nëse bilanci i skuadrave në përballjet direkte është i barabartë, atëherë renditja përcaktohet në bazë të koshdiferencës në ndeshjet ndërmjet tyre. E nëse koshdiferenca në ndeshjet e zhvilluara në mes tyre është e njejtë, atëherë renditja përcaktohet në bazë të koshdiferencës duke llogaritur rezultatet e arritura në të gjitha ndeshjet e zhvilluara të të dy ekipeve gjatë gjithë sezonit. Dhe krejt në fund, nëse edhe koshdiferenca e përgjithshme është e njejtë, atëherë renditja caktohet në bazë të hudhjes së shortit, gjë që sipas gjendjes aktuale nuk ka mundësi të ndodhë.
Bilanci në ndeshjet direkte mes skuadrave deri tash:
- Bashkimi 2-2 Trepça (Trepça qëndron më mirë me koshdiferencë, +17 pikë nga ndeshjet direkte)
- Bashkimi 3-1 Vëllaznimi
- Bashkimi 2-1 Prishtina (Bashkimi e nis ndeshjen e katërt me koshdiferencë +7 ndaj Prishtinës)
- Trepça 1-3 Prishtina
- Trepça 2-2 Bashkimi (Trepça qëndron më mirë me koshdiferencë, +17 pikë nga ndeshjet direkte)
- Trepça 2-2 Vëllaznimi (Vëllaznimi qëndron më mirë me koshdiferencë, +10 pikë nga ndeshjet direkte)
- Prishtina 1-2 Vëllaznimi (Vëllaznimi e nis ndeshjen e katërt me koshdiferencë +17 ndaj Prishtinës)
- Prishtina 1-2 Bashkimi (Bashkimi e nis ndeshjen e katërt me koshdiferencë +7 ndaj Prishtinës)
- Prishtina 3-1 Trepça
- Vëllaznimi 2-1 Prishtina (Vëllaznimi e nis ndeshjen e katërt me koshdiferencë +17 ndaj Prishtinës)
- Vëllaznimi 2-2 Trepça (Vëllaznimi qëndron më mirë me koshdiferencë, +10 pikë nga ndeshjet direkte)
- Vëllaznimi 1-3 Bashkimi
Ndeshjet e mbetura në 2 xhirot e fundit:
- Bashkimi e pret Prizrenin, më pas i shkon Prishtinës,
- Trepça e pret Rahovecin, më pas i shkon Prizrenit.
- Prishtina i shkon Vëllaznimit, më pas e pret Bashkimin.
- Vëllaznimi e pret Prishtinën, më pas i shkon Pejës.
Kalkulime për mbijetesë/rënie
1. Për shkak që Vëllaznimi e Prishtina përballen mes vete në xhiron e parafundit, Bashkimi edhe nëse pëson dy humbje në dy ndeshjet e fundit, prapëseprapë e ka të sigurtë vendin e parafundit, që dërgon në Play Out. Në asnjë formë Bashkimi nuk e rrezikon rënien direkte nga liga.
2. Nëse Vëllaznimi e fiton duelin Vëllaznimi - Prishtina në xhiron e ardhshme, automatikisht e siguron të paktën Play Out-in, pavarësisht se çfarë ndodhë pastaj në ndeshjet e xhiros së fundit
3. Nëse Prishtina e fiton duelin me Vëllaznimin me më shumë se 18 pikë dallim, atëherë e siguron të paktën Play Out-in, pavarësisht se çfarë ndodhë pastaj në ndeshjet e xhiros së fundit
4. Prishtina mund ta fitojë Vëllaznimin dhe më pas të bie nga Superliga nëse i mposhtë gjakovarët me më pak se 17 pikë dallim dhe në xhiron e fundit Vëllaznimi e mposhtë Pejën, kurse Bashkimi e mposhtë Prishtinën.
5. Një fitore nga dy ndeshjet e mbetura për Trepçën do të nënkuptonte së paku Play Out pa pasur nevojë të bëhen kalkulime të rezultateve të rivalëve në ndeshjet e tjera.
6. Trepça nëse pëson dy humbje në dy ndeshjet e fundit mund të bie direkt prej Superligës, me kusht që edhe Vëllaznimi edhe Prishtina sigurojnë së paku nga një fitore deri në fund të stinorit.
7. Nëse Bashkimi, Trepça dhe Vëllaznimi mbesin me pikë të barabarta në fund të sezonit, mes tyre Bashkimi renditet i pari, pastaj Trepça, pastaj Vëllaznimi.
8. Nëse Prishtina, Trepça dhe Vëllaznimi mbesin me pikë të barabarta në fund të sezonit, atëherë Trepca renditet më poshtë se Prishtina dhe Vëllaznimi, ndërsa këta dy të fundit renditen varësisht prej rezultatit nga ndeshja që do të luhet mes tyre.
9. Nëse Bashkimi, Trepça dhe Prishtina mbesin me pikë të barabarta në fund të sezonit, atëherë Trepça renditet më poshtë se Prishtina dhe Bashkimi, ndërsa këta dy të fundit renditen varësisht prej rezultatit nga ndeshja që do të luhet mes tyre.
Kalkulimet e lartpërmendura janë të bazuara në rregulloren e FBK-së dhe paraqesin vetëm mundësitë e vlefshme matematikisht që skuadrat ta sigurojnë mbijetesën/rënien.