FTESA PËR REKORD-KAMPIONEN E KOSOVËS

KB Prishtina ftohet nga ENBL
16 August, 2022 @23:50
Liga ndërkombëtare e basketbollit, që përfshin shtetet e Evropës Veriore, të Mesme dhe Lindore, i ka bërë ftesë zyrtare rekord-kampiones së Kosovës në basketboll, KB Prishtina - që të merr pjesë aty në stinorin 2022/23.
Njoftimin për këtë e ka zyrtarizuar vetë KB Prishtina përmes një njoftimi të lëshuar orë më parë, ndërsa ENBL (European North Basketball League) përfshin ekipe lituaneze, letoneze, estoneze, çeke, polake, ukrainase e ruse. Këta të fundit në stinorin e kaluar u përjashtuan nga garat për shkak të luftës në Ukrainë.
“Kjo ftesë përveç se na ka nderuar, na bën të ndihemi krenar për imazhin që kemi krijuar si klub në Europë, gjë që u dëshmua edhe para pak javësh kur FIBA Europe na caktoi në vazon e dytë të kualifikimeve me ekipe të njohura europiane,” ka shkruar KB Prishtina në njoftim, duke mos bërë të ditur ende përgjigjen përfundimtare për pjesëmarrje në këtë garë, derisa entuziazmi duket i madh për t’i thënë “Po” ENBL-së.
Në stinorin e kaluar Anwili polak u bë kampion i ENBL-së, duke mposhtur në finale Siauliain e Lituanisë.
“Tani është detyrim i joni që krejt Prishtinën, Plisat, Kosovën dhe shqiptarët t’i përfaqësojmë edhe më denjësisht,” ka vazhduar Prishtina njoftimin, duke treguar entuziazmin për pjesëmarrje aty.
Për stinorin 2022/23 në ENBL kanë konfirmuar pjesëmarrjen: BC Zielona Gora (POL), Start Lublin (POL), TalTech Basketball (EST), King Szczecin (POL), Basket Brno (CZE), Trefl Sopot (POL), BC Budivelnyk (UKR), Tartu Ulikool (EST) dhe BC Siauliai (LIT).
Shpejt prite të kuptohet vendimi përfundimtar i Prishtinës, që veçse do të luajë edhe në FIBA Europe Cup 2022/23.