PARA DERBIT TË JAVËS
Koha për fitore
12 December, 2015 @16:20
Nesër mbrëma në Prishtinë zhvillohet derbi i kësaj xhiroje në Superligë të Kosovës, ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.
Para kësaj ndeshjeje, kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmond Azemi, ka vlerësuar Bashkimin mirëpo mendon se ekipi i tij e ka tani kohën për t’iu kthyer fitoreve pas serisë së humbjeve në fillim të këtij muaji.
“Bashkimi po tregon lojëra të mira dhe besoj se do të jetë derbi i vërtetë. Ne do të kërkojmë fitoren, por nuk do jetë aspak lehtë. Kemi përparësi terrenin vendas dhe është koha për t’iu kthyer fitoreve,” ka thënë Azemi sot për Kohën Ditore duke shtuar se Bashkimi ka individë më të mirë sesa Kozuvi, ekip ky që e mposhti Prishtinën në ndeshjen e fundit të BIBL.
Ndeshja Sigal Prishtina - Bashkimi zhvillohet nesër mbrëma me fillim në ora 18 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.