PËRFAQËSUESJA U18
Kosova humb rastin për finale
14 July, 2016 @18:27
Pas katër fitoreve rresht në fazën grupore të Kampionatit Europian U18 të Divizionit C, përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbjen e parë.
Djelmoshat e udhëhequr nga trajneri Dritëro Sefaja, janë ndarë kokulur nga përballja gjysmëfinale kundër Azerbejxhanit.
Kundërshtari e filloi takimin shumë mirë, duke krijuar epërsi prej 14 pikëve në fund të çerekut të parë, 12-26. E kjo epërsi e Azerbejxhanit ishte e pamundshme të arrihet për Kosovën, e cila në fund humbi me rezultat 66-77, megjithëse rreth 3 minuta pa përfunduar ndeshja, ajo u zvogëlua deri në vetëm 6 pikë.
Tre basketbollistë të Kosovës, Etnik Peci, Gent Shala dhe Muhamedali Janjeva, ishin koshashënuesit më të mirë të skuadrës me nga 12 pikë secili, kurse te Azerbejxhani, alo qendra Mammadov shkëlqeu me 19 pikë të shënuara.
Me këtë rezultat, Kosova e humbi rastin për të luajtur në finale të këtij kampionati dhe tani i mbetet të luajë ndeshjen e fundit për vendin e tretë me humbësin e duelit Andorra-San Marino.