KTHEHET USTAI
Krasniqi te Teleboysat
2 November, 2013 @18:02
Skuadra e Teleboysave nuk ia nisi mirë stinorit. Skuadra që bëri senzacion stinorin e kaluar në Superligë duke hyrë në Play-Off ka regjistruar tre humbje në pesë xhirot e para të Superligës.
E trajneri boshnjak i klubit, Adin Adinovic, pavarësisht rezultateve, ka shkëputur kontratën me RTV 21 me marrëveshje të dyanshme për të shkuar të bëhet asistent i Miroslav Nikolicit në Radnicki të Serbisë.
Drejtuesit e Teleboysave kanë reaguar shpejtë duke sjellë në vend të tij Arben Krasniqin, ish trajnerin e Sigal Prishtinës.
Krasniqi do të merr udhëheqjen e ekipit menjëherë dhe do të jetë në dispozicion të klubit që në ndeshjen e ardhshme ndaj Bashkimit në Prizren.
Krasniqi është trajneri rekord kampion i Kosovës në basketboll, pasi që ka fituar numrin më të madh të kampionateve radhazi me Sigal Prishtinën, ku ka dominuar totalisht në basketbollin kosovar nga viti 2005 deri dy vite më parë, kur Trepça fitoi kurorën e dyfishtë.
Arben Krasniqi ishte shkarkuar nga Sigal Prishtina në mars të këtij viti. Ai i kthehet basketbollit pas 8 muajsh.