Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORJA E DYTË, NË 3 NDESHJET E FUNDIT

Kristi Kote i sjell fitoren Fushë Kosovës

Fotot: KFFusheKosova/ fb

Kristi Kote i sjell fitoren Fushë Kosovës


Teksti: 2korriku.com

3 November, 2024 @22:39

Fushë Kosova - 2 Korriku 1-0 [Kristi Kote 85’]

“Dhjetëra raste të shpërdoruara, por në fund vendos një goditje e devijuar nga jashtë zonës” – është ky përshkrimi më i mirë i takimit Fushë Kosova – 2 Korriku, që sot u zhvillua në “Ekrem Grajçevci” të Fushë Kosovës.

As ky raport, e ndoshta edhe shumë shkrime tjera nuk mund ta shpjegojnë se si një ndeshje e tillë, me kaq shumë raste, në fund përfundoi me vetëm një gol të shënuar. Themi kështu, sepse ndeshja prodhoi aq shumë, saqë të gjithë habiteshin me shpërdorimin e mundësive, sidomos atyre të lojtarëve të 2 Korrikut, që të vetëm me portierin Tërnava gjuanin mbi e anash portës, por vetëm kuadratin nuk e qëllonin.

Në fakt, thënë të drejtën, rastet e shumta të pakonkretizuara, sikur e “ndëshkuan” skuadrën kryeqytetase, që “dënimi” i erdhi në minutën 80’, kur goditjen e Kotes e devijoi një nga mbrojtësit e topi përfundoi në rrjetë, ndonëse përpjekjet e portierit Ajeti ishin deri në maksimum për ta dëbuar jashtë atë top.

Gjithsesi, vlen të përmendet se ndeshja në përgjithësi ishte tejet interesante, me momente ku ritmi ishte jashtëzakonisht i lartë e ku futbollistët i treguan cilësitë e tyre, përjashto dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt dhe ato gjashtë shtesë të pjesës së dytë, kur futbollistët vendës kishin nevojë më shumë për stafin mjekësor, hyrja e të cilit e bënte të pamundur zhvillimin e ndeshjes në kushte normale – veprime këto të kuptueshme për vonesë të lojës, duke e ditur rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij dueli, epilogu i të cilit i dha ngritje të ekipit nikoqir, ndërsa thelloi krizën për atë mysafir.

Ky rezultat bën që 2 Korriku tani të renditet si i teti në renditjen tabelare të Raiffeisen Ligës së Parë, ose thënë ndryshe grupit B të saj, me javën e ardhshme që sjell takimin si vendës përballë skuadrës nga Shtimja, Vjosës.

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Njëmbëdhjetë

FC Fushë Kosova v. FC 2 Korriku 1-0

Golashënues: Kristi Kote 80’

Gjyqtarët e ndeshjes: Dylot Brahimi (Mitrovicë), Uranit Berisha (Podujevë), Gembi Uka (Prishtinë), Ilaz Ajeti (Gjilan)

Delegat i ndeshjes: Rifat Gjonbalaj (Pejë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Afrim Morina (Prizren)

Futbollistët/zyrtarët e ndëshkuar me karton të verdhë: Lorik Tërnava (82’), Emin Bajrami; Ideal Abdullahu (40’), Jehon Stublla (45’)

Formacioni startues i Fushë Kosovës: Lorik Tërnava, Elton Sylejmani, Nasuf Berisha (C), Arbenit Krasniqi, Leon Ajdini, Kristi Kote, Berat Ahmeti, Shpresim Prestreshi, Ylber Murturi, Sinan Sinanovic, Rinor Shabani. Kryetrajner: Emin Bajrami.

U inkuadruan edhe: Labinot Breznica (72’), Almir Azemi (72’), Riad Kostanica (85’), Diar Grabanica (90’)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Andi Namoni, Nderim Abdullahu, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Ideal Abdullahu, Gneilpekan M. Camara, Pedro Henrique, Ardit Gashi (C), Granit Latifi. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Arlind Maqedonci (65’), Redon Bejta (77’), Albinot Kozmaqi (84’), Andi Oruqi (84’)


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë