DRENICA - VËLLAZNIMI
Fitore ndaj Vëllaznimit, Drenica merr kreun e Grupit A
1 November, 2024 @14:52
Ndeshja hapëse dhe njëkohësisht kryesore e xhiros së XI në Grupin A të Ligës së Parë mes Drenicës dhe Vëllaznimit u luajt sot në Skenderaj.
Ky takim përfundoi me rezultat 2-0 (Shpresim Zogu 2’, Kreshnik Uka 87’) në të mirë të skuadrës skenderajase.
Pjesa e parë kaloi me dominimin e Drenicës. Goli erdhi menjëherë në minutën e dytë, kur një gabim të mbrojtjes së Vëllaznimit e shfrytëzoi maksimalisht Shpresim Zogu, duke shënuar për 1-0. Pasiguria në mbrojtjen gjakovare ra në sy edhe në disa raste të tjera në këtë pjesë, por për fatin e mirë të tyre, pjesën e parë e mbyllën me vetëm një gol disavantazh.
Në pjesën e dytë, ndonëse në përgjithë ritmi i lojës ra, përsëri skuadra e Drenicës ishte në kontroll, duke mos lejuar gjakovarët të rrezikonin pothuajse aspak.
E goli i vulosjes së fitores erdhi në minutën e 87’. Pas një gabimi të portieri Adi Hyla, Kreshnik Uka me mjaft përvojë shënoi për rezultatin përfundimtar 2-0.
Te skuadra gjakovare, që sot pati paraqitje zhgënjyese, ra në sy mungesa e Norik Krasniqit, që është njëri prej futbollistëve më të dalluar te Vëllaznimi këtë sezon.
Tash, Drenica, e drejtuar nga Bylbyl Sokoli, merr kreun e Grupit A të Ligës së Parë, duke qenë 3 pikë mbi Vëllaznimin, të cilit i rrezikohet edhe vendi i dytë nga skuadra e Trepçës.