Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZIMI I PARË I PRISHTINËS SË RE

2 Korriku shkëput pikë të rëndësishme nga liderja

Foto: 2korriku.com

2 Korriku shkëput pikë të rëndësishme nga liderja


Teksti: 2korriku.com

26 October, 2024 @15:35

Në takimin e vlefshëm për javën e dhjetë të grupit “B” të Raiffeisen Ligës së Parë të futbollit në Ksoovës, 2 Korriku ka marrë një pikë përballë ekipit të Prishtina e Re, skuadrës lidere dhe më në formë në këtë rang garash.

Pika e fituar erdhi me shumë mund e angazhim për ekipin verdh’ e blu, por që në fund u vlerësua jashtëzakonisht shumë, gjithnjë duke e ditur se përballë ishte ekipi me ecurinë më të mirë të deritanishme në kampionat.

Ndonëse pjesa dërrmuese e takimit u dominua nga Prishtina e Re, 2 Korriku sot pati mundësitë e veta që ta fitoj takimin, sidomos me daljet e minutave të fundit, kur Ardit Gashi, Arlind Maqedonci e Redon Bejta nuk reaguan si duhet në kundër-zbritjet ose thënë ndryshe rastet/gjysmë-rastet që i patën, me dy të parët që dështuan me goditjet me kokë, ndërsa me të fundit që nuk arriti ta kthej topin si duhet në zonë krejt në fund, ku u ndalë nga portieri Bislimi.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “2 Korriku” zgjati afro 100 minuta, por në fund nuk dha fitues, krejt kjo si rrjedhojë e angazhimit të pashoq të skuadrës verdh’ e blu, që në fakt ishte në epërsi në fillimin e pjesës së dytë kur shënoi me Gashin, por që gëzimi nuk zgjati shumë pasi mysafirët barazuan me Bahtirin (61’) që shënoi nga afërsia për 1-1.

Takimi në tërësi ofroi momente të bukura futbolli, me të dyja skuadrat që krijuan dhe tentuan për të marrë pikët e plota, por që në fund asnjëra nuk ja doli, e thënë të drejtën nga ky epilog shumë më e kënaqur doli skuadra e 2 Korrikut që përpos se vinte nga dy humbje radhazi me të njëjtin rezultat, pati edhe mungesa të shumta, e ku vlen të përmenden mbrojtësi Nderim Abdullahu e kapiteni Andi Oruqi që për shkak të akumulimit të kartonëve të verdhë u desh të pushojnë në këtë takim.

Ndeshja mes ekipeve të kryeqytetit u përcoll nga afro 300 shikues, të cilët në fund mbetën të kënaqur me aq sa panë, sidomos me angazhimin e skuadrave.

Pika e fituar sot ia mundëson 2 Korrikut qëndrimin në pozitën e shtatë me nëntë pikë, duke lënë prapa Fushë Kosovën, kundërshtaren me të cilën do të ndeshet në vikendin e radhës në kuadër të xhiros së njëmbëdhjetë.

—-

Raiffeisen Liga e Parë, Grupi ‘B’; Java e Dhjetë

FC 2 Korriku v. KF Prishtina e Re 1-1

Golashënues: Ardit Gashi 56’; Kreshnik Bahtiri 61’

Gjyqtarët e ndeshjes: Qëndrim Vata (Ferizaj), Visar Kupina (Prishtinë), Denis Avdyli (Prizren), Festim Dogani (Kaçanik)

Delegat i ndeshjes: Faton Sejdiu (Prishtinë)

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Driton Preniqi (Obiliq)

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Rron Statovci, Andi Namoni, Albin Stublla, Agron Beqiri, Jehon Stublla, Ideal Abdullahu, Gneilpekan M. Camara, Pedro Henrique, Ardit Gashi (C), Granit Latifi. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Albinot Kozmaqi 52’, Redon Bejta 52’, Arlind Maqedonci 64’, Ylli Prekopuca 90+6’

Formacioni startues i Prishtinës së Re: Egzon Bislimi, Fatlind Azizi, Dardan Jashari, Adonis Zeqiri, Fati Ismaili, Samir Sadriu, Lorik Dobratiqi, Endrit Baholli, Astrit Berisha, Agustin D. Rojas, Kreshnik Bahitiri. Kryetrajner: Elon Berisha.

U inkuadruan: Bleon Sekiraqa 46’, Abdoul R. B. Zoungrana 46’, Labinot Jetullahu 60, Flamur Bajrami 73’, Avni Selmani 85’


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë