Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DRENICA FITON DERBIN DHE DEL NË KRYE

Fofana i jep start të mbarë Sokolit me Drenicën

Foto: FCDrenica/ fb

Fofana i jep start të mbarë Sokolit me Drenicën


21 October, 2024 @16:26

Drenica ka shënuar fitore në derbin e xhiros së nëntë në Ligë të Parë - Grupi A, që u luajt sot, ndërsa dueli ka pasur epilog mjaft dramatik dhe fitorja mund të shkonte në secilën anë!

Sidoqoftë ka qenë sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Mohamed Fofana që u përkujdes për t’i dhënë start të mbarë Bylbyl Sokolit si trajner i ri i Drenicës në debutim! Fofana pranoi një top nga bashkëlojtari vonë në ndeshje, kur Trepçës vetëm fati ia ktheu shpinën për të bërë përmbysjen e madhe, për ta kontrolluar atë dhe për të shënuar në portën e mitrovicasve.

Gëzimi i madh në taborin vendas, që bëri më pas të shihen edhe disa kartonë për shkak të zhagitjeve, derisa në minutat e mbetura Trepça nuk arriti të shënojë më për tu mposhtur në fund: Drenica - Trepça 3-2 [Kreshnik Uka 15’, Mohamed Fofana 45’+9, 83’ - Lucas Cunha 58’, Ani Kenneth 66’].

TABELA AKTUALE

Përndryshe epërsia e pjesës së parë të Drenicës çoi rehat në pushim pjesëlojësh vendasit. Por, në pjesë të dytë një Trepçë krejt tjetër e Emin Baliqit, që edhe dha rezultat. Cunha së pari, ndërsa jo shumë vonë pas tij ka qenë një super-gol i shënuar me gërshërë nga Ani Kenneth për të barazuar!

Trepça qëlloi edhe shtyllën pas 2-2! Ishte mbrojtësi Nicolas da Silva që goditi me kokë pas kornerit! Menjëherë pas tij edhe zëvendësuesi Ardit Miftari goditi drejt portës dhe ishte afër shënimit, por topi gjatë rrugës për në portë, u devijua nga mbrojtësit e Drenicës!

Në anën tjetër, një sulm jo shumë premtues i vendasve bëri që Fofana të konkretizojë dhe t’ia sjellë fitoren kuqezinjëve. Me këtë fitore, Drenica mbyllë ciklin e parë të ndeshjeve në Ligë të Parë - Grupi A si lidere. Edhe pse me vështirësi, ata dolën në vend të parë pas 9 ndeshjesh me 21 pikë, duke e lënë pas liderin e deridjeshëm Vëllaznimin me 19. Trepça është e treta, me 17 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë