KAMPIONJA
Kthehet kampionja
1 April, 2014 @9:33
Dëshiruan të tërhiqen nga garat, por pas mbledhjes së fundit - vendosën për vazhdim. Kampionja e Kosovës, Peja, pas skandaleve në gjysmëfinale të Final Four ka vendosur që të vazhdojë garat, përkundër se dje u shkrua shumë se - një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pas përjetimeve në Palestrën Shani Nushi të Gjakovës.
“Kemi mbajtur mbledhje dhe kemi marrë mendimin e të gjithëve. I kemi mbledh të gjithë dhe kemi diskutuar gjatë këtë punë dhe kemi ardhur në konkludim me ndihmën e tifozëve që na kanë shtyer të kthehemi në gara përkundër shumë padrejtësive që na janë bërë dhe degradimit të basketbollit,” është cituar të ketë kreu pejan, Art Gashi, për shtojcën sportive të Gazetës Tribuna, sot.
Peja, që vjet ishte finaliste e Kupës së Kosovës dhe u mposht nga Sigal Prishtina, kësaj radhe shorti i vendosi në gjysmëfinale me rivalin e tyre më të madh në Kosovë.
Verdhezinjtë ia nisën shumë mirë ndeshjes dhe kishin edhe epërsi në pjesë më të madhe të saj.
Kah fundi i çerekut të tretë filluan telashet me publikun dhe gjithçka tjetër që ishte e papjekur sportivisht, që çoi kampionen në vendim për të tërhequr skuadrën, e Sigal Prishtinën në finale automatikisht me rezultat zyrtar 20-0.