MITROVICË

Tifozët e Trepçës, stinorin e kaluar në Final Fourin e Kupës së Kosovës 2015/ BOROZANI/ Lis Dorambari
Kush janë përforcimet e Trepçës?!
23 September, 2015 @14:53
Skuadra e Trepçës, që këtë stinor mëton të punojë sa më shumë me lojtarë të rinj të skuadrës dhe kryesisht të Mitrovicës, në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), ka bërë kërkesë për kalimin e 4 lojtarëve të rinj.
Emrat e këtyre lojtarëve kanë qenë të ditur edhe më parë, në bazë të paralajmërimeve të ndryshme, ndërsa tani ato mund të konsiderohen edhe zyrtare.
Mario Pesut
Basketbollisti i talentuar kroat që në stinorin e kaluar ishte pjesë e Yllit të Suharekës, por nuk arriti të debutojë për ata për shkak të një lëndimi, konsiderohet të jetë përforcimi më i dalluar për ekipin e ‘xehetarëve’.
Mario Pesut, ka bërë karrierë në Suedi, ndërsa më shumë për të mund të lexoni këtu.
Eddi Jurjevic
Basketobollisti tjetër kroat në ekipin e gjelbër nga Mitrovica. Eddi Jurjevic është 203 centimetra i gjatë dhe luan kryesisht në pozitën e alo-qendrës, 4.
Basketbollisti 22 vjeçar në vitet e fundit ka bërë karrierë në Sllovaki, duke pasur mesatare prej 27.7 minutave për ndeshje, ku ka shënuar 10.6 pikë, ka regjistruar 1.2 asistime dhe 6.5 kërcime për ndeshje.
Benjamin Buçaj
Buçaj ka luajtur për skuadrën arbëreshe në Kroaci, Jazine-Arbanasi. Ai ka luajtur në ligat e ulëta kroate, derisa ka pasur mesatare prej 4.8 pikëve për ndeshje me këtë ekip gjatë stinorit të kaluar.
Benjamin Buçaj luan në pozitën e alos, është 25 vjeçar dhe është i gjatë 198 centimetra. Ai ka qenë një kohë bashkëlojtar i Jurjevicit te ekipi i Zadarit (shqip. Zara).
Korab Prekazi
Rikthimi i ish basketbollistit, mund të konsiderohet si njëri ndër përforcimet më të mira të skuadrës që do të drejtohet nga kroati Neven Plantak. Prekazi ka kaluar një stinor të mrekullueshëm individualisht te Vëllaznimi i Gjakovës stinorin e kaluar, ndërsa tash pritet të bart barrën më të madhe të skuadrës, bashkë me lojtarët tjerë mitrovicas.
Prekazi ka pasur mesatare prej afro 30 minutash për ndeshje te Vëllaznimi, ku ka shënuar 17 pikë, 2.2 asistime dhe 2.8 kërcime për ndeshje. Korabi 23 vjeç ka shënuar rekord pikët e karrierës së tij në stinorin e kaluar kur ia dha Besës 49 pikë në një fitore të Vëllaznimit.
Tjera
Rikthimi i trajnerit Neven Plantak, me të cilin Trepça u shpallë kampione herën e fundit, 4 stinorë më parë, gjithashtu shihet si një hap shtesë për mitrovicasit. Plantak është autoritativ dhe punon shumë. Strategu kroat pritet t’ua kthejë besimin lojtarëve aktual të skuadrës, ndërsa puna me të rinjtë do të jetë edhe një detyrë tjetër e tij.
Ekipi mitrovicas ka arritur të mbajë në skuadër gjilanasin Arian Memeti, ndërsa ka humbur vëllezërit Zekiqi, Samirin e Burimin, të cilët kanë kaluar te Peja.
Problemi i Trepçës mbetet palestra Minatori, që përkundër paralajmërimeve ende nuk u rihap zyrtarisht, edhe pas renovimit trevjeçar! Ndërsa sa i përket lojtarëve tjerë të huaj, edhe Plantak më parë ka deklaruar se maksimalisht ata do të përforcohen me dy amerikanë gjatë stinorit, nëse shihet nevoja.
Video
Video e Mario Pesutit