DAMIR MULAOMEROVIC
Lehtë s’do të jetë, por besoj në skuadër
16 October, 2018 @15:35
Në konferencën e sotme për shtyp, para nisjes së fazës grupore të FIBA Europe Cup, trajneri i ri i Prishtinës, Damir Mulaomerovic ka thënë se ekipin e tij e pret një punë e vështirë.
Por, ai ka besim të madh te skuadra dhe beson që do t’ia dalin në fund.
“Të gjithë e dimë se skuadra ukrainase është e mirë. Lojtarët kanë stërvitur shumë mirë gjatë këtyre 7-8 ditëve të fundit dhe besoj se nesër do të japim gjithçka nga vetja për të arritur rezultat,” ka thënë trajneri i Prishtinës.
“Kundërshtari ynë është ekip shumë atletik. Nuk do të jetë lehtë. Por besoj në këtë ekip dhe kemi punuar shumë për këtë ndeshje,” ka thënë Mulaomerovic.
Prishtina nesër nis stinorin e tretë të saj në FIBA Europe Cup. Kundërshtari i parë i grupit të bardhekaltërve është ekipi ukrainas Cherkaski Mavpy.
Përveç tyre, rival tjetër të grupit të Prishtinës janë edhe Bakken Bears nga Danimarka dhe Steaua rumune.
Prishtina asnjëherë në tentimet e saja nuk ka arritur të kalojë fazën e parë grupore dhe këtë e ka vënë synim për këtë stinor. E treta e vërteta?
Ndeshja Prishtina - Cherkaski Mavpy nis nesër mbrëma në 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.