Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ÇKA NDODHË PAS FAZËS SË LIGËS?

Liga e Kampionëve: I pari dhe i dyti, do të mund të takohen vetëm në finale

Liga e Kampionëve: I pari dhe i dyti, do të mund të takohen vetëm në finale


24 October, 2024 @11:32

Pas përfundimit të xhiros së tretë të fazës së ligës në Ligë të Kampionëve, gjërat kanë filluar të qartësohen sa i përket skuadrave që do të luftojnë për pjesën e epërme të tabelës dhe atyre që do të eliminohen.

Luftë e vërtetë pritet të ndodhë për tetë pozitat e para, që sigurojnë pa nevojë për playoff të tetën e finales së Ligës së Kampionëve - në fazën knockout.

Por, gjë e rëndësishme është të dihet se pas përfundimit të fazës së ligës, pra pas tetë xhirove të luajtura, Liga e Kampionëve do të qartësojë sipas renditjes tabelare rrugën deri në finale të garës. E këtu, diçka që dihet sigurt është se skuadra që përfundon e para në tabelë, nuk do të mund të takohet me pozitën e dytë deri në finale të garës.

Kjo, pasi që do të krijohet skema që të parin e vendos në anë të majtë dhe të dytin në anë të djathtë të rrugëtimit deri në finale.

Ndërkaq, siç dihet të gjitha ndeshjet e fazës eliminatore (ose knockout) luhen në sistemin vajtje-ardhje, deri në finale - ku natyrisht luhet një ndeshje.

Gjithashtu, fakti tjetër që dihet është se skuadrat që renditen prej pozitës së 25-të e deri në fund të tabelës, do të eliminohen nga garat evropiane për këtë stinor dhe me kaq do të përfundojnë aventurën në ndeshje ndërkombëtare.

Sa i përket skuadrave që kryejnë fazën e ligës prej pozitës së nëntë deri në të 24-tën, ata do të luajnë playoff për të siguruar të tetën e finales, pasi që përfundon faza e ligës. Fituesit e playoffit që do të luhet në sistemin vajtje-ardhje, do të sigurojnë pjesëmarrjen në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve dhe do të luajnë ndaj tetëshes së parë.

Çka ndodhë, nëse në ekipet kanë pikët e barabarta pas 8 xhirosh?!

Në rast se dy a më shumë ekipe kanë pikë të njëjta në fund të fazës së ligës në Ligë të Kampionëve, atëherë çka do të ndodhë ose si do të përcaktohet renditja përfundimtare në tabelë? Kjo është qartësuar nga UEFA-ja, ndërsa nëse krejtësisht përputhen nëntë pikët e para, atëherë në skenë del përfundimisht koeficienti i UEFA-së për ekipin.

Renditja e kritereve që vendosin për renditjen tabelare nëse pikët janë të njëjta të skuadrave në tabelë:

◼1. Gol-dallimi më i mirë.
◼2. Më shumë gola të shënuara.
◼3. Më shumë gola të shënuara si mysafir.
◼4. Më shumë fitore.
◼5. Më shumë fitore si mysafir.
◼6. Më shumë pikë të fituara nga tet kundërshtarët e ekipit të kontestuar.
◼7. Gol-dallimi më i madh në total i tetë kundërshtarëve të ekipit në kontest.
◼8. Numri më i madh i golave të shënuara nga tetë kundërshtarët e ekipit në kontest.
◼9. Vlerësimi fair-play (kartonat e kuq dhe kartonat e verdhë, ku kartoni i kuq të dënon me 3 pikë, ndërsa i verdhi 1 pikë)
◼10. Koeficienti i UEFA-së.


 
Të gjitha lajmet nga