BEFASIA
Lituania në finalen e dytë me radhë dhe në Rio 2016
Blerim Myftiu
19 September, 2015 @11:26
“Ta mposhtësh Serbinë duke pasur 20 topa të humbur dhe 2 treshe të shënuara nga 14 tentime është mrekulli dhe e pabesueshme” qenë fjalët e trajnerit të Lituanisë, Jonas Kazlauskas, gjatë vlerësimit të ndeshjes së dytë gjysmëfinale pas së cilës shteti i tij u kualifikua në finalen e dytë me radhë.
Vetëm kjo fjali mjafton për ta përshkruar se si Lituania, krahas këtyre të dhënave të disfavorshme statistikore, arriti të kualifikohej.
Ajo as nuk mundi dhe as nuk tentoi që të mbështetet në armën kryesore (së paku deri tani) të basketbollit baltik – lojën e shpejtë dhe saktësinë për tri pika. Edhe një dëshmi që basketbolli po ndryshon dhe skemat e mirënjohura karakteristike për një rajon nuk janë të kufizuara me atë rajon dhe loja po globalizohet.
Kazlauskasi duket se e kishte analizuar mirë ndeshjen çerekfinale të Serbisë kundër Republikës Çeke, madje edhe atë të së tetës së finales kundër Finlandës. Por, sidomos çekët, kishin bërë një lojë të përqendruar në shkatërrimin e vijës së parë të mbrojtjes serbe duke e çuar topin pothuajse në çdo sulm në trapez, nga i cili lokalizim Jan Veselý dhe kompania kishin arritur një kohë të gjatë të ndeshjes të ishin rivalë të barabartë Serbisë.
Lituania e përbërë nga lojtarë më të kompletuar se Çekia arriti që ta kurorëzojë këtë lojë me fitore.
Serbia ishte ekipi që shënonte më së tepërmi pikë për ndeshje – 88. Prandaj, lituanët përveç shembjes së mbrojtjes përmes lojtarëve tepër të lëvizshëm që vazhdimisht ndryshonin vend në sulm dhe dukeshin shpesh si “Gonzalezë të shpejtë”, aplikoi të njëjtën lëvizshmëri edhe në mbrojtje.
Prandaj, ishin tri periudha të gjata prej 5-7 minutash kur Serbia nuk arriti të shënonte fare. Ishin pikërisht këto periudha kur diferenca në dy raste shkoi në 11 pikë – e fundit në fillim të çerekut të katërt.
Serbia secilën herë arriti të kthehej në -1 pikë diferencë, madje në epërsi nga fundi i çerekut të tretë me +3 pikë, por duhet theksuar se ajo kurrsesi nuk arriti nivelin e dëshiruar gjatë tërë kampionatit.
Qendra (e vetme) lituaneze, Jonas Valančiūnas, ishte sërish në nivel dhe përveç ndeshjes me Gjeorgjinë në të cilën nuk ishte (me mendje) në parket, është shndërruar në shtyllën kryesore të ekipit. Mantas Kalnietisi humbi 8 topa. Në çdo rast tjetër do të vihej në shtyllën e djegies, por energjia dhe organizimi që i bëri ekipit, bashkë me shënimet e asistimet në pikat kyçe, kishin shumë më tepër kuptim se humbjet e topave. Paulius Jankūnasi, Jonas Mačiulisi dhe Renaldas Seibutisi luajtën sa u desh. Kurse, Mindaugas Kuzminskasi dëshmoi se Lituania ka një lojtarë krahu dhe krah-qendër në të cilën ajo mund të mbështetet edhe disa vite. Komponimi i mirë bëri që të paardhurit në Francë, si Linas Kleiza e Martynas Pocius të mos kërkoheshin.
Teodosići ishte lojtari i vetëm që ishte në nivel konstant gjatë kampionatit, Bjelica nuk ishte në kalibrin në të cilin ishte gjatë sezonit të kaluar në Euroligë, kurse dinamitët e kampionatit të vjetmë botëror, Kalinići dhe Bogdanovići mbrëmë nuk u dukën fare. Te Raduljica dukej se kishte lënë gjurmë sezoni i kaluar pa klub dhe pjesërisht në Kinë. Kurse qendra Kuzmić ende, së paku, vërtetoi se nuk është zëvendësim i denjë për Krsticin e pensionuar/lënduar.
Në sallë ishin dy (aq sa arritëm të shohim përmes kamerave) protagonistët e mëdhenj të njërës prej finaleve më të mëdha të Eurobasketit, atij të vitit 1995. Lituania e porsapavarësuar dhe Jugosllavia (e re) e porsaformuar patën zhvilluar në Athinë njërën prej finaleve epike që kishte përfunduar me fitoren e Jugosllavisë me 96:90. Në atë ndeshje, trajneri i tanishëm i kombëtares serbe, Aleksandar Djordjevići kishte shënuar 40 pikë, me saktësinë e shënimeve për treshe prej 9/12. Arvydas Sabonisi i cili tani është zyrtar i Federatës lituane të basketbollit kishte luajtur kundër tij. Ndeshja ishte ndërprerë për pak çaste për shkak të protestimit të lituanëve ndaj referimit. Ishte vazhduar pas pëshpëritjes/bisedës së gjatë të Djordjevicit me Marčiulionisin në bankën e Lituanisë.
Tjetër incident ishte që gjatë intonimit të himneve në ceremoninë e shpalljes së fituesve, kroatët që kishin marrë medalje të bronztë nuk kishin qëndruar në skenë për ta dëgjuar himnin jugosllav/serb.
Video
Lituania-Serbia