SHTOHEN TRAJNERËT
Maloney, trajneri amerikan në përfaqësuese
14 March, 2016 @11:58
Tim Maloney, është trajner i ri i përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Njoftimin e ka dhënë sot Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) përmes një lajmi në web faqen zyrtare të saj.
Maloney do të nis punën me Kosovën në korrik të këtij viti dhe do t’i asistojë selektorit Arben Krasniqi në përgatitjen e lojtarëve për ndeshje, ngritjen e nivelit kondicional të basketbollistëve dhe analizat e kundërshtarëve.
Në prezentimin e trajnerit në fjalë FBK ka shkruar: Tim Maloney është drejtor i operacioneve të basketbollit në Universitetin Baylor në Waco të Teksasit. Ai ka eksperiencë 31 vjeçare në kolegjet e basketbollit në Divizionin e Parë, NCAA, me 10 paraqitje në turneun e NCAA.
Ndërsa Krasniqi është treguar të jetë tejet i kënaqur me angazhimin e trajnerit në fjalë.
“Për ne është kënaqësi e madhe ta kemi në Përfaqësuese një trajner të nivelit të Tim Maloney. Ai do të na ndihmojë shumë me eksperiencën e tij, sepse ne si skuadër e re kemi nevojë për më shumë ndihmë në aspektin e analizave të kundërshtarëve tanë, që do t’i kemi në kualifikimet për Evropian. Po ashtu Maloney do të na ndihmojë në ngritjen e formës së lojtarëve tanë në aspektin kondicional, si dhe do të na mbështesë edhe në forma të ndryshme në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për eliminatoret për Eurobasket 2017”, ka thënë Arben Krasniqi, përzgjedhës i Kosovës.
Kosova në kualifikime për Eurobasket 2017 do të jetë në një grup me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë.
Kualifikimet nisin në fund të muajit gusht dhe zgjasin deri në fund të shtatorit, kur kuptohen skuadrat e kualifikuara për nivelin tjetër të Eurobasket 2017.