EKSKLUZIVE
Martin, tregon arsyet e largimit
24 April, 2014 @10:46
Një trajner vetëmohues, ashtu si nuk e kishte parë Kosova ndonjëherë. Punëtor i madh. Bile, i pandalshëm.
Spanjolli i parë që shkeli në Kosovë. Kështu do të mbahet në mend, tani më ish trajneri i Trepçës, Israel Martin.
Në një bisedë ekskluzive me Borozani.com ai tregoi disa nga arsyet për largimin e tij nga ekipi mitrovicas, derisa i ka dëshiruar edhe suksese ekipit të tij, edhe kur shkoi.
“Siç e dini, që nga fillimi i stinorit ne nuk punuam në kushte të mira. Nuk kishim palestër dhe aty ku zhvillonim stërvitjet, nuk mund t’i bënim rregullisht. Arsyeja tjetër është situata ekonomike. Në Kosovë situata ekonomike nuk është e mirë. Unë nuk kam marrë 7 rroga dhe asnjëherë nuk jam ndalur së punuari,” ka numëruar Martin fillimisht në prononcimin e tij për lexuesit tonë.
“Sa i përket ekipit. Ata janë aktualisht në pozitën e tretë, me bilanc 12-12. Në fund, pas disfatës së fundit (nga RTV 21, v.j.) u takova me Bordin e ekipit dhe ramë dakord që të ndërprejmë marrëveshjen në këtë moment. Kjo, mendoj se do të jetë më mirë për ekipin, pasi që me një trajner të ri në xhirot e fundit ata do të mund të rimotivohen pas këtij viti tejet të vështirë për çdokë në klub. I dëshiroj më të mirën Trepçës,” ka thënë në fund trajneri spanjoll.
Trepça këtë stinor përkundër jostabilitetit të madh financiar është dukshëm më mirë në tabelë krahasuar me stinorin e kaluar dhe me mundësi të mira për t’iu kthyer Play-Offit, gjë të cilën nuk e kishin arritur stinorin e kaluar.
Trepça gjithashtu, për herë të parë këtë stinor, nuk ka arritur të luaj Final Fourin e Kupës së Kosovës, duke u eliminuar nga Besa e Pejës, në Final 6 - pas ndërrimit të formatit të garave të Kupës.
Mitrovicasit, sot zhvillojnë ndeshjen e radhës së tyre, ndaj Dritës, ku për këtë stinor pritet të debutojë ish trajneri i tyre Ilir Selmani.
FAKTE:
Israel Martin - është trajneri që ka duruar më së shumti Superligën e Kosovës këtë stinor, pasi që asnjë trajner i huaj këtë stinor nuk ka bërë stazh sa spanjolli në stinorin 2013/14; | Israel Martin - ka udhëhequr ekipin e të huajve në All Star përkujtimoren e Superligës së Kosovës; |