Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALKAN LEAGUE

8 arsye pse Sigal Prishtina meriton të bëhet kampion në BIBL

KB Prishtina/ Facebook

8 arsye pse Sigal Prishtina meriton të bëhet kampion në BIBL


Shkruan: Lis Dorambari

23 April, 2014 @12:40

Me siguri që ekzistojnë shumë më shumë arsye për t’u bërë Sigal Prishtina kampione e Ligës Ballkanike, mirëpo Borozani.com ju sjell 8 nga më kryesoret prej tyre.

1. Thyerja e izolimit

Në stinorin 2003/04, për herë të parë basketbolli kosovar ka dalë në arenën ndërkombëtare. Atë botë, Kosova ishte pranuar në ligën rajonale të femrave, Trocal, ndërsa vendin tonë e kishin përfaqësuar vashat e skuadrës Universiteti, të cilat arritën sukses të madh duke u kualifikuar në Final Four të ligës.

Sivjet ishte hera e dytë që basketbolli kosovar po garon në arenën ndërkombëtare, ndërsa ndryshe nga 10 vjet më parë, kësaj radhe Kosova u përfaqësua me dy skuadra në kategorinë e meshkujve, përkatësisht me Sigal Prishtinën dhe Pejën.

Megjithëse konkurrenca kësaj radhe ishte shumë më e vështirë, Kosova arriti sukses të ngjashëm sikurse në vitin 2004 duke u kualifikuar në Final Four me një skuadër, dhe tani mund të arrij edhe më shumë duke e fituar titullin.

2. Organizimi i Final Four-it në Prishtinë

Njëra prej arsyeve kryesore për ta fituar kupën. Jo vetëm tifozët në tribuna, jo vetëm qyteti i Prishtinës, por krejt Kosova do të jetë në përkrahje të Sigal Prishtinës për ta shkruar historinë. Ndërsa organizimi i Final Four-it në Prishtinë, do të mundësoj që basketbollistët e Sigal Prishtinës ta ndjejnë nga afër përkrahjen, motivimin dhe dëshirën e madhe të secilit qytetar për ta fituar këtë kupë.

3. Dardan Berisha

Basketbollisti nga i cili kanë më së shumti frikë skuadrat kundërshtare. Dardani është koshashënuesi i dytë më i mirë në pjesën e rregullt të stinorit në Balkan League dhe është njëri prej kandidatëve kryesorë për ta fituar çmimin MVP të Final Four-it, varësisht edhe nga suksesi i klubit të tij.

Lideri i ekipit prishtinas në shumë raste ka treguar se mund ta marrë e gjithë barrën mbi supet e veta, edhe në çastet më vendimtare të ndeshjes, gjë për të cilën mund të ketë shumë nevojë ekipi i Sigal Prishtinës në përballjen gjysmëfinale ndaj Galil Gilboas, dhe në rast të kualifikimit, në finale.

4. Kupa e parë ndërkombëtare

Sigal Prishtina është padyshim skuadra më e trofeshme në basketbollin kosovar. Skuadra bardhekaltër ka një numër të madh të kupave si kampione e Kosovës, fituese e Kupës apo edhe të Superkupës.

Triumfi në Ligën Ballkanike do të hapte një vend të veçantë në muzeun e trofeve të Sigal Prishtinës, derisa kjo do të ishte kupa e parë e fituar në një garë jashtë vendit, të nivelit siç është Liga Ballkanike.

5. Ndalja e kampionit

Sivjet është edicioni i gjashtë i Ligës Ballkanike, ndërsa në dy edicionet e fundit, kampion është shpallur ekipi izraelit, Galil Gilboa.

Për ekipin e Galilit, ky është edicioni i tretë i pjesëmarrjes në Balkan League, që do të thotë se ekipi izraelit ka bilanc të qindpërqindtë të pjesëmarrjes dhe shpalljes kampion në BIBL.

Në qoftë se Prishtina e mposht të premtën në gjysmëfinale Galil Gilboan, atëherë do të thehet edhe kjo tabu.

6. Rikthimi i kupës në Ballkan

Siç e cekëm edhe më lartë, Galil Gilboa është kampion në dy vitet e fundit në BIBL. Megjithëse quhet “Liga Ballkanike”, shteti i Izraelit, në këtë rast i përfaqësuar nga ekipi i Galilit, është shteti i vetëm i cili nuk bën pjesë gjeografikisht në Ballkan, por garon në këtë ligë.

Me fitoren e Sigal Prishtinës (këtu mund të përfshihen edhe dy skuadrat të tjera gjysmëfinaliste nga Bullgaria, Levski dhe Balkan), kupa e Ligës Ballkanike do të kthehet në Gadishullin e Ballkanit.

7. Marin Dokuzovski

Trajneri maqedon erdhi në krye të Sigal Prishtinës kah fundi i muajit shkurt dhe që nga ajo kohë nuk ka pësuar asnjë humbje në Balkan League duke e mposhtur me rend Pejën, Kozuvin, Craiovan dhe Levskin.

Ai po ashtu nuk ka shijuar humbje as në Superligën e Kosovës duke regjistruar 8 fitore në 8 ndeshje, derisa trofeun e parë me bardhekaltërit e ka ngritur duke e fituar Kupën e Kosovës.

Për ndryshe, Dokuzovski është trajneri i vetëm në Final Four që nuk ka pësuar asnjë humbje në BIBL gjatë këtij stinori.

8. Plisat

Njëra prej arsyeve që shtyu Bordin e Ligës Ballkanike për organizimin e Final Four-it në Prishtinë, ishte edhe atmosfera e flaktë e krijuar nga ‘Plisat’, atmosferë të cilën nuk mund ta shihnim edhe nga tifozët e skuadrave tjera që hynë në Final Four. 

Ata e përkrahën klubin në çdo ndeshje dhe në çdo kohë, dhe tani meritojë të festojnë.


 
Të gjitha lajmet nga Balkan League