SHQIP NË BOTË
Maxhuni me pikë dyshifrore, Parnu pranë gjysmëfinales
20 April, 2021 @8:30
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Edon Maxhunit te skuadra estoneze Parnu.
Mbrëmë fundori me prejardhje kosovare e ndihmoi skuadrën e tij që ta mposhtë skuadrën Tallinna Kalev dhe që t’i afrohet kështu gjysmëfinales së Play Off-it në elitën e basketbollit estonez.
Ndeshja e mbrëmshme përfundoi me rezultat 88-76, e kështu në ndeshjen e dytë të serisë çerekfinale, skuadra e Parnus hyn me epërsi 1-0.
Edon Maxhuni mbrëmë luajti rreth 29 minuta, gjatë të cilave shënoi 13 pikë, ndërkohë që pati edhe 4 kërcime e 4 asistime.
Ndeshja e dytë e serisë mes këtyre dy skuadrave luhet pas dy ditëve (22 prill).