SAVOVIC
“Mendoj se do të fitojmë”
24 March, 2014 @14:06
Slobodan Savovic, trajneri i ri i Pejës, që morri drejtimin e klubit pas largimit të Danijel Lutz në një bisedë me faqen zyrtare të ligës ballkanike ka thënë se klubi i tij është i gatshëm për sfidën vendimtare me Balkan Botevgrad, që zhvillohet nesër në Bullgari.
Pejanëve u duhet fitorja për të arritur Play-Offin, derisa ekipi bullgar ka arritur kualifikimin dhe do të luaj për prestigj.
“Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi që fitorja do të na jep një vend në TOP 6. Jemi duke punuar shumë, duke ditur se ekipi i Balkanit është shumë i mirë. Ata kanë individë të mirë, trajner të mirë dhe puna jonë do të jetë mjaft e vështirë, por me fitore shpresojmë që të vazhdojmë stinorin në ligën ballkanike,” ka thënë Savovic.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kjo është gjasa e vetme e mbetur për Pejën dhe nuk dëshirojnë që të përfundojnë stinorin sa i përket garave ndërkombëtare tani.
“Lojtarët janë gati. Ne nuk duam të përfundojmë stinorin në ligën ballkanike tani. Ne duam fitore dhe të vazhdojmë. Mentalisht lojtarët janë të gatshëm. Nëse ne luajmë lojën më të mirë, nëse bëjmë atë që duhet, mendoj se do të arrijmë fitoren,” ka thënë mes tjerash Savovic, transmeton balkanleague.net.
Peja do të ndeshet nesër me Balkanin e Botevgradit për të kërkuar një vend që dërgon në Play-Off të ligës ballkanike.
Peja ka aktualisht bilanc prej 6 fitoreve e 9 humbjeve, derisa me fitore do të sigurojnë çerekfinalet e kësaj gare.