KBF PENZA - KBF PRISHTINA

Mgbeike me double-double, KBF Prishtina e pamposhtur
5 November, 2021 @21:20
Ndeshja hapëse e xhiros së pestë në Ligën e Femrave, u luajt me derbin në mes të Prishtinës dhe Penzës.
KBF Prishtina e mposhti kundërshtaren në “Karagaç” me rezultat 56-70.
Vashat e trajnerit Fidan Shatri, në çerekun e parë pësuan 9 pikë dhe shënuan 15 sosh, më pas nuk e lëshuan në asnjë moment epërsinë deri në fund të ndeshjes.
Sarah Mgbeike me double-double prej 28 pikëve e 17 kërcimeve ishte e pakapshme për mbrojtjen e Penzës, derisa u ndihmua edhe nga Aisia Robertson me 14 pikë dhe Arbnore Përquku me 13 pikë të tjera.
Te Penza u dalluan Cheah Rael Whitsitt me 16 pikë e 22 kërcime, Jeta Zeka me 13 pikë, 7 kërcime e 5 asistime dhe Valbona Bytyqi me 11 pikë.
KBF Prishtina me 5 fitore në 5 ndeshje është skuadra e vetme pa humbje deri më tani në Ligën e Femrave, kurse kjo ishte humbja e parë e kampiones aktuale të Penzës.
Në xhiron tjetër Prishtina takohet me Kastriotin, derisa Penza e pret Trepçën.