YLLI - PRISHTINA
Ndërpritet derbi
16 February, 2019 @21:47
Dueli derbi i Superligës ndërmjet vendit të dytë Yllit dhe vendit të parë, Prishtinës që zhvillohej në Suharekë është ndërprerë.
Kishte mbetur edhe pak mbi një minutë deri në fund të çerekut të tretë, ndërsa një gabim teknik i dhënë në drejtim të bankës së ekipit suharekas, që drejtohet nga ish trajneri i Prishtinës Arben Krasniqi, bëri që të eskalohej situata.
Disa persona nga publiku hodhën gjësende në fushë. Referët kërkuan zbrazjen e sallës. Salla nuk u zbraz dhe ndeshja u ndërpre.
Rezultati në atë moment ishte Ylli 64 - 68 Prishtina. Prishtina ishte duke e luajtur ndeshjen ndër më të vështirat e stinorit dhe Ylli afrohej gjithnjë e më shumë, duke kërkuar që të bëhej ekipi i parë që po e mposht nënkampionin aktual këtë stinor.
Deri në momentin e ndërprerjes, Clay Everett ishte më efikasi te Ylli me 19 pikë të shënuara, kurse Leonard Mekaj kishte dhënë 13 të tjera.
Te Prishtina më efikasi ishte Dardan Berisha me 17, kurse Khalid Boukichou kishte shënuar 14 sosh.
Si e komentuan ekipet ngjarjen?
Llogaria e Yllit në Facebook ka shkruar: Për arsye që delegati kërkoi ta zbraz sallën dhe duke ditur që ndeshja zhvillohet për publik, lojtarët dhe klubi të indinjuar me këtë referim, vendosën të mos e vazhdojnë ndeshjen.
Ndërkaq, llogaria zyrtare Prishtinës në Facebook ka shkruar: Ju njoftojmë se ndeshja e sontme Ylli vs Prishtina është ndërprerë pas hedhjeve të mjeteve të forta në parket nga publiku suharekas me ç‘rast delegati i ndeshjes dhe referët kërkuan zbrazjen e sallës. Me këtë vendim nuk u pajtuan krerët e klubit nga Suhareka, të cilët nuk pranuan ta vazhdojnë ndeshjen. Se cili do të jetë epilogu final i kësaj ndeshjeje mbetet ta presim se çfarë do të vendosë Federata e Basketbollit të Kosovës në bazë të dispozitave të rregulloreve në fuqi përkitazi me këto veprime.