AMIR MADDRED
Pas humbjes, Rahoveci largon Maddredin
16 February, 2019 @16:49
Basketbollisti 203 centimetra i gjatë i Rahovecit, Amir Maddred prej sot nuk është më pjesë e ekipit të vreshtarëve.
Njoftimin për këtë e ka zyrtarizuar llogaria zyrtare e Rahovecit në Facebook, duke bërë të ditur se kanë larguar lojtarin, i cili ka qenë në ekip që prej fillimit të stinorit.
24 vjeçari Maddred, që luan në pozitën e alo-qendrës ka pasur mesatare prej 7.8 pikëve dhe 4.3 kërcimeve për ndeshje me Rahovecin në Superligë të Kosovës.
Numri i basketbollistëve të huaj te Rahoveci me largimin e Maddredit bie në tre, ndërsa ekipi pritet që para Final 8 të Kupës të përforcohet me një lojtar tjetër të huaj.
Rahoveci është organizator i Final 8 të Kupës së Kosovës këtë vit.
Rahoveci mbrëmë për herë të parë këtë stinor ka regjistruar humbje nga debutuesi në Superligë, Prizreni. Maddred ka qenë për afro 17 minuta në parket në përballjen e djeshme, ndërsa ka shënuar 2 pikë, 2 kërcime dhe 1 asistim.
Përndryshe, Rahoveci është duke shfrytëzuar maksimalisht stinorin jo të mirë të kampionit Bashkimi si dhe të Trepçës dhe bashkë me Yllin duket të jetë kandidat më serioz për të siguruar pozitën e dytë në fund të stinorit, që i garanton ekipit gjysmëfinale të PlayOffit.