Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MITROVICASIT VAZHDOJNË ME FITORE

Në ndeshjen me incidente, Trepça vazhdon serinë e fitoreve

Në ndeshjen me incidente, Trepça vazhdon serinë e fitoreve


26 February, 2023 @20:02

Trepça ka shënuar fitoren e radhës në kuadër të Superligës nën drejtimin e trajnerit Engin Gençoglu, për të përmirësuar edhe më tej bilancin në kampionat, derisa në ndeshjen që u përshkrua me incidente në pjesë të parë, mitrovicasit kanë ditur të dalin fitues në fund, me rezultat të ngushtë 84-87 ndaj Bashkimit, që luajti si vendas në 13 qershori të Suharekës.

TABELA AKTUALE

Kjo ka qenë fitorja e pestë radhazi në kampionat e mitrovicasve nën drejtimin e Gençoglut, ndërsa nëse llogariten edhe ndeshjet e Final 8 të Kupës, seria e fitoreve të tyre në përgjithësi shkon në tetë - pra, Trepça me trajnerin e ri turk në ekip nuk ka pësuar ende!

Pas dallimit të shkaktuar në pjesë të parë të ndeshjes të mitrovicasve, ekipi prizrenas në pjesë të dytë ishte më i mirë dhe iu afrua shumë atyre, bile pati mundësinë që në fund të çojë ndeshjen në vazhdime, por çuditërisht Curtis Jones që kishte 8 sekonda në dispozicion për të shutuar treshe, shutoi që në sekondën e parë dhe me mos shënimin e tij, Trepça arriti fitoren.

Kendrick Brown me 23 pikë, 6 asistime, 3 kërcime ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes, ndërsa shutoi 4/8 për tri pikë në këtë fitore të ekipit të tij. Drilon Hajrizi luajti me 15 pikë, 2 asistime e 6 kërcime, ndërsa 10 të tjera dha Jamel Artis.

Bashkimi që kryesisht luajti me gjashtë lojtarë përgjatë lojës, u mundua mjaft, por nuk arriti të befasojë Trepçën e rinovuar me trajnerin e ri. Samardo Samuels shënoi 19 pikë, 2 asistime e 9 kërcime për portokallezinjtë, ndërsa Daniel Lekndreaj ishte i vetmi që luajti me double-double duke dhënë 10 pikë, 2 asistime e 10 kërcime. Fisnik Rugova dha 16 pikë e 8 kërcime, ndërsa koshashënuesi më i mirë i prizrenasve u bë Curtis Jones, me 21 pikë.

Fitorja bën që Trepça të bëhet me bilanc 14-9 kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje deri në fund të stinorit të rregullt, ndërsa Bashkimi me 10-13 është afër të sigurojë pozitën e pestë për PlayOff.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga