HYSENAGOLLI

Hysenagolli, në vijën e gjuajtjeve të lira/ BOROZANI/Lis Dorambari/Arkiv
Nëse kthehem në Kosovë, vetëm te Bashkimi!
28 June, 2015 @11:27
Endrit Hysenagolli pësoi një lëndim të rëndë gjatë pjesës së dytë të stinorit të Superligës stinorin e shkuar derisa veshte fanellën e Bashkimit të Prizrenit.
Faza e rehabilitimit
Ai u detyrua të hyjë në operacion dhe tani është në fazën rehabilituese dhe mendon rikthimin sa më të shpejtë në parket.
“Jam në fazën e rikuperimit. Në mëngjes jam në palestër, e pastaj në not. Pasdite në terapi dhe vrapim të lehtë,” ka thënë Hysenagolli fillimisht në bisedën e tij me Borozani.com.
Rikthimin për në stinorin e ardhshëm e sheh si shumë të mundshëm.
I gatshëm
“Besoj se do të jem plotësisht i gatshëm për fillimin e stinorit të ardhshëm,” ka shtuar ish basketbollisti i Pejës dhe së fundi i Bashkimit në Superligë.
Edhepse i lënduar, mesatarja e lartë e tij statistikore në stinorin e fundit me portokall-e-zinjtë nga Prizreni, ka bërë që ai të kërkohet nga skuadrat tjera.
Pse Prizreni?
“Megjithë se është akoma heret për të vendosur, oferta kam pasur si këtu në Shqipëri, ashtu edhe nga Kosova. Mirëpo, në Kosovë s’besoj të luaj diku tjetër përveç Bashkimit, pavarësisht ofertave. Për sa do të jem në Kosovë, do të jem te Bashkimi. Aty kam gjetur përkrahje të madhe nga i gjithë qyteti, klubi dhe sidomos tifozëria Arpagjik’t,” ka shtuar qendra 210 centimetërshe për Borozani.com duke bërë të ditur preferencën në Superligë të Kosovës.
Statistikat dhe ditëlindja!
Hysenagolli ka regjistruar 6 herë double-double stinorin e kaluar me Bashkimin, derisa ka treguar një formë të lartë para se të lëndohet. Ai ka pasur mesatare prej 14.6 pikëve dhe 8.4 kërcimeve për ndeshje në Superligë stinorin e shkuar dhe ka qenë një ndihmesë e madhe nën kosh për ekipin nga Prizreni.
Ai ka luajtur edhe për kombëtaren shqiptare si dhe për ekipet Kamza, Tirana, etj.
Endriti të dielën tjetër feston ditëlindjen e tij të 27-të.