FITORE E RADHËS

Foto: FCFerizaji/ fb
Ngritja e Ferizajit vazhdon, mposhtin edhe Llapin
11 March, 2025 @20:53
Fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit ka çuar Ferizajin e Arsim Abazit në mes të tabelës së Superligës. Viktimë e sotshme e tyre ka qenë Llapi i Tahir Batatinës, të cilin ekip ferizajasit e mposhtën, Ferizaji - Llapi 2-1 [Valmir Nafiu 11’, Antonio Ilieski 42’—Blend Baftiu 17’].
E tërë ndeshja gjeti finalizimin në pjesë të parë! Shpejt Nafiu (11’) i dha epërsinë Ferizajit pas asistimit të Fatjon Jusufit. Por edhe më shpejt mysafirët barazuan, kur mesfushori kreativ i tyre Blend Baftiu shënoi bukur për 1-1 (17’)!
Gabimi në mbrojtje dhe arritja e topit te Nafiu, bëri që portieri Marijan Coric të dalë pamatur mirë drejt topit - e Nafiu shtyu topin në rrjetë për epërsi. Baftiu në anën tjetër shënoi tepër bukur në akcionin tjetër të mirë organizuar, për të barazuar! Ai goditi fuqishëm drejt portës së ferizajasve për të lënë pa gjasa portierin Jovanovski.
Fitorja për Ferizajin erdhi pas një goditjeje të gjuajtjes së lirë, që gjeti Ilieskin në zonë, që në tentimin e dytë qëlloi portën dhe solli gëzimin e madh të vendasve.
Në pjesë të dytë Ferizaji kishte dy raste të mira, njërën prej të cilave e shënoi Abdeen Adbul, por u anulua për ofsajd. Tjetrën, s’e qëlloi portën Betim Haxhimusa. Llapi kërkoi gjithashtu, por zbehët, duke rrezikuar vetëm një herë seriozisht portën e Jovanovskit!
Në fund, Ferizaji kalon në pozitë të pestë sot, duke tubuar 32 pikë nga 24 ndeshje. Llapi i teti, ka 26 pikë dhe gjendet në zonë të barazhit momentalisht.