TREPÇA - RAHOVECI
Ngushtë, por Rahoveci s’ndalet
14 October, 2018 @20:48
Vetëm 1 minutë e 33 sekonda para fundit të ndeshjes, rezultati ndërmjet Trepçës vendase dhe Rahovecit mysafir u barazua në 83-83.
James Stanback ngulit për Rahovecin me 83-85, ndërsa në anën tjetër Mark Dorris shuton saktë për tre pikë, 86-85.
Ndeshja futet në minutën e fundit të saj, ndërsa faulin e fituar nga vreshtarët, Deshon Minnis ka shënuar gjuajtjet e lira për 86-87, rikthim i avantazhit për Rahovecin, përsëri.
Pushim nga Ilir Selmani për të treguar taktikat e fundit në 43 sekondat e mbetura. Dorris tenton, s’shënon, por Ylldrit Sahiti kap topin për 88-87 në të mirë të minatorëve.
Menjëherë faulohet Minnis i Rahovecit. Nga gjuajtjet e lira, i pagabueshëm 13 sekonda para fundit, 88-89. Përsëri vreshtarët përpara. Sulmi i fundit i ndeshjes, edhe 13 sekonda. Shuton Dorris për tre pikë dhe s’qëllon. Vreshtarët janë të pamposhtur edhe pas 4 xhirove.
Fred Richardson me 23 pikë dhe pa asnjë minutë pushim në ndeshje, si dhe Deshon Minnis me po aq minuta, 40, e 20 pikë ishin më efikasit. Minnis shtoi edhe 12 asistime e 5 kërcime në llogari të tij.
Performancë të jashtëzakonshme te Trepça ka pasur Besnik Azemi. Por, 30 pikët e tij, 12 kërcimet nuk mjaftuan për pak në fund të ndeshjes. Dwane Miner shtoi edhe 24 pikë e 7 kërcime, që s’mjaftuan për fitoren e parë të mitrovicasve në Superligë.
Trepça ishte në disavantazh tre pikësh pas çerekut të parë, 22-25. Në të dytin, uli pak epërsinë 26-25. Çereku i tretë përsëri ngushtë i takoi Rahovecit me 18-20, e krejt në fund, një pikë ishte dallimi për fituesin e ndeshjes.
Rahoveci i Bujar Locit mbetet i pamposhtur edhe pas 4 xhirove, starti më i mirë ndonjëherë i tyre. Në anën tjetër, Trepça ka startin më të dobët, 0-4.