DARDAN BERISHA

Fotot: FBK
“Pa tifozë s’do të ishte kjo energji”
29 November, 2021 @12:17
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, në deklaratën e tij dhënë pas fitores së Kosovës ndaj Danimarkës ka thënë se përkrahja që kanë marrë gjatë lojës ka qenë shtytës kryesor i fitores së mbrëmshme.
Berisha luajti me 16 pikë e 5 asistime në fitoren e parë të Kosovës në kuadër të parakualifikimeve drejt Eurobasket 2025.
“Definitivisht ka qenë mbrojtja, pastaj edhe atmosfera. Ne dëshpërimin pas ndeshjes me Norvegjisë e kemi rikthyer në motivim të lartë, jemi bërë bashkë dhe kemi thënë se vetëm bashkë mund të fitojmë,” ka thënë Dardani fillimisht.
“Mbrojtja, kërcimet… nuk e di saktë se s’i kam parë ende statistikat, por lufta e madhe në fushë, vullneti i madh dhe dëshira për fitore, ndërsa pa tifozë nuk do të kishim këtë energji për të çuar ndeshjen drejt fitores,” ka deklaruar ai.
Me fitoren e shënuar ndaj Danimarkës 78-73 Kosova tashmë ka bërë bilansin 1-1 pas dy ndeshjeve të para parakualifikuese. Kosova duhet të përfundojë e para në grup për të shpresuar në fazën tjetër kualifikuese për Eurobasket 2025.
Aktualisht, Norvegjia ka bilans 1-0, ndërsa Danimarka 0-1. Duelet e radhës të Grupit C parakualifikues luhen në shkurt 2022.
Dhe Kosova më 27 shkurt pret Norvegjinë në Prishtinë, në duelin që pritet të jetë vendimtar për vendin e parë në grup.