KOSOVA - DANIMARKA

Fitorja për shpresë
28 November, 2021 @20:57
Kosova arriti fitoren e parë në përballjen e dytë në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2025, duke e mposhtur Danimarkën në Prishtinë me rezultat 78-73.
Për dallim nga ndeshja e parë kundër Norvegjisë, Kosova në këtë ndeshje filloi me mbrojtje më agresive.
Dardanët çerekun e parë e mbyllën me 1 pikë epërsi (18-17), derisa deri në fundin e pjesës së parë e ngritën epërsinë në 5 pikë (38-33).
Në çerekun e tretë shkëlqeu Dardan Berisha, e deri në fund të çerekut të tretë epërsia u ngrit në pikë dyshifrore, 60-46.
Loja e Kosovës në çerekun e fundit ra dukshëm, pasi që epërsinë e Kosovës prej 21 pikëve, danezët arritën ta ngushtonin deri në 3 pikë, megjithatë Kosova nuk u dorëzua dhe e mposhti kundërshtarin.
Dardan Berisha me 16 pikë e 5 asistime ishte më i miri te Kosova, derisa u ndihmua edhe nga Valon Bunjaku e Drilon Hajrizi me nga 14 pikë secili.
Gjithashtu me pikë dyshifrore luajtën edhe Gëzim Morina me 13 pikë e Meriton Ismaili me 10 pikë të tjera.
Te Danimarka më i dalluari ishte Daniel Andreas Mortensen me 24 pikë e 6 kërcime.
Kjo ishte fitorja e parë e Kosovës pas 5 humbjeve rresht.
Kosova ndeshjen e radhës do ta luajë me Norvegjinë më 27 shkurt 2022.
Dardanët me një ndeshje më shumë ngriten në krye të Grupit C me 1 fitore e 1 humbje.