PARA NDESHJES
Pas pushimit, Peja paralajmëron kthimin e Dardanit dhe Drilonit nesër
29 February, 2020 @22:58
Dy yjet e Pejës dhe të reprezentacionit të Kosovës në basketboll, Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi, do të jenë në parket në ndeshjen e nesërme derbi të Superligës ndërmjet Yllit dhe Pejës.
Njoftimin e ka konfirmuar klubi fitues i Kupës së Kosovës, duke bërë të ditur se dyshja që u pushuan për ndeshje të BIBL-it ndaj Vllaznisë në Shkodër, nesër do të jenë të gatshëm për lojë.
Ylli - Peja luhet nesër më 1 mars me fillim prej orës 17:00 në 13 qershori të Suharekës. Ylli me fitore potenciale mund të barazohet në krye të klasifikimit me Prishtinën, ndërsa Peja me fitore do të mund të ngritet edhe më lartë në klasifikim.
Përndryshe Peja dhe Ylli kanë qenë edhe finalist të Kupës së Kosovës 2020, ku pejanët mposhtën suharekasit në finale duke ngritur trofeun e parë për këtë vit në Kosovë.