REAGIMET PAS MBYLLJES SË FINALES

Foto: FBK
Peja e Trepça me respekt të ndërsjellë në reagimet pas ndeshjes
19 May, 2023 @0:09
Pas duelit të fundit të serisë dramatike të finales së playoffit të Superligës, ku Peja fitoi Trepçën në ndeshjen e pestë vendimtare të serisë në Minatori të Mitrovicës, për tu stolisur me titullin kampion të Kosovës për herë të parë pas një dekade, të dyja skuadrat kanë reaguar me respekt të ndërsjellë në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale.
Po i sjellim të dyjat, pa ndërhyrje.
KB TREPÇA:
Të nderuar tifozë e përkrahës,
Sonte e përfunduam një edicion garues, që megjithatë është për ta vlerësuar. Luajtëm të gjitha finalet, fituam trofe, kthyem interesimin për basketbollin në vend dhe sollëm gëzime e emocione.
Sonte na mungoi fati dhe titullin e fitoi rivalja jonë, Peja. E urojmë që kishte më shumë fat dhe fitoi titullin e kampionit në një garë të fortë e të barabartë.
Duke vlerësuar përkrahjen e secilit prej jush, ju falenderojmë përzemërsisht.
Ne jemi ende në rritje. Gjëra edhe më të mëdha na presin prej fillimit të edicionit të ardhshëm.
Trepça është e madhe. Me ju në krahë do të luajmë edhe shumë e shumë finale. Do sjellim edhe shumë emocione e krenari.
Jemi krenarë që një qytet kemi prapa. Kërkojmë falje që sonte nuk ju gëzuam, por ju premtojnë: shumë gëzime do të keni nga ne.
Trepça, krenari.
KB PEJA:
Kështu duken Kampionat, kështu fluturojnë Shqiponjat.
Klubi i Basketbollit Peja ka hasur në shumë probleme, sfida, vështirrësi dhe rreziqe për ta arritur titullin të cilin sonte e kemi fituar. Por të gjithë jemi në dijeni që i ka Peja disa djem, të cilët asnjëherë në këtë jetë nuk do e lejojnë qytetin e tyre në Baltë.
Shfrytëzojmë rastin ta falemnderojmë nga zemra secilin individ, secilën kompani dhe secilin akt i cili pak ose shumë ka ndikuar që KB Peja të stoliset me titullin “Kampion i Kosovës”.
Falemnderojmë lojtarët e ekipit tonë, të cilët djersiten Uniformen më të bukur në botë për tu shpallur Kampion. Ju jeni sonte Shpirti i qytetit të Pejës dhe qytetarëve të saj, sonte është nata juaj, sonte së bashku po krijojmë kujtime të cilat nuk do i harrojmë përgjatë gjithë jetës.
E ku ka si UCF ?? Ku ka si pas ardhësit e Haxhi Zekës ? Ku ka si ajo ushtrri që asnjëherë nuk u dorëzua deri sa i erdhi koha që ta festojë këtë titull. Shijojeni natën tuaj, ju jeni ata që e mbani qytetin tonë gjallë, ju jeni muskuli më i fuqishëm i kthetrave të Shqiponjës.
As se si nuk mund të harrohet KB Trepça për luftën e fuqishme të cilën zhvilluan në këto ndeshje finale, jeni ekip për çdo lavdatë dhe të jeni të bindur se secili qytetar i Kosovës është i vetdijshëm për këtë. Mitrovica është Zemra e Kosovës. Rivaliteti i jonë në Sport është i pa mohueshëm, por Kosova dhe dashuria për të qëndron gjithmonë mbi rivalitetet e dëshirat tona sportive.
Ju jeni vëllëzërit tonë, faleminderit Mitrovicë.
LE TË VAZHDOJË FESTA, PRITNA PEJË SE ERDHEM!