Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MAN UTD E NIS ME FITORE

Transferi i ri i sjell fitoren Manchester Unitedit

Transferi i ri i sjell fitoren Manchester Unitedit


16 August, 2024 @23:03

I futur në lojë si zëvendësues në minutën e 61-të të ndeshjes, holandezi i transferuar këtë verë te Manchester United, Joshua Zirkzee me një prekje të lehtë ka shënuar gol nga një rast i nisur prej aksionit të Bruno Fernandes dhe i asistuar nga Garnacho për t’ia dhënë fitoren ekipit të Erik Ten Hagut në nismë të stinorit të ri të Premier Ligës.

Manchester United mposhti Fulhamin në ditën e fillimit të stinorit të ri të Premier Ligës, me rezultat minimal 1-0 [Zirkzee 87’] ndërsa ekipi i “Djajve të kuq” ka bërë gjithçka në pjesë të parë për të shënuar, por mungesa e një sulmuesi klasik u vërejt në ekip. Sidoqoftë, pas një pjese të dytë ku Fulham u tregua i rrezikshëm dhe kërkonte raste me kundërsulm, ka qenë holandezi i ardhur nga Bologna këtë verë, që i dha fitoren dhe lehtësimin në ditën e parë të kampionatit 2024/25 në “Old Trafford”.

Kenny Tete kishte rast të mirë për Fulhamin fillimisht, ndërsa në anën tjetër Bernd Leno mbrojti dy raste të mira të Bruno Fernandesit. Më pas Leno mohoi edhe një rast të mirë të Mason Mountit. Për Unitedin debutoi në 11-she të parë transferi i ri Mazraoui, ndërsa më pas në lojë hyri edhe De Ligt për të regjistruar debutimin e tij, kur trajneri i të kuqve vendosi për lojën me tre mbrojtës në 10 minutëshin e fundit të ndeshjes. 

Manchester United nis stinorin me tre pikë, ndërsa në xhiron e radhës i shkon Brightonit, derisa Fulham pikët e para të stinorit do t’i kërkojë ndaj Leicester Cityt të rikthyer në Premier Ligë.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League