SONTE NË KARAGAÇ
Peja kërkon këndelljen
10 February, 2016 @9:55
Një përballje tejet e vështirë e pret Pejën sonte në “Karagaç” derisa verdhezinjtë kërkojnë këndelljen.
Ekipi maqedon Kozuv do të luajë ndeshjen e parë me trajnerin e ri Marjan Ilievski sonte, ndërsa për këtë të fundit “Karagaçi” ka qenë ferr në fillim të stinorit derisa ishte pjesë e Sigal Prishtinës.
Peja në anën tjetër pas humbjes së befasishme nga Levski 2014 është mposhtur edhe nga Sigal Prishtina dhe pas serisë impresive prej 21 fitoreve radhazi, tash ka 2 humbje me radhë.
Branimir Pavic dhe lojtarët kanë treguar se në ekip mbretëron atmosferë e mirë në stërvitjen e mbrëmshme, ku ka qenë prezent edhe Danijel Lutz.
Gjithashtu pejanët mezi presin të shohin edhe lojtarin e ri të ekipit, AJ West i cili ka qenë prezent në stërvitjet e fundit të ekipit.
Të dyja ekipet nuk kanë fitore në fazën e dytë dhe sonte do të kërkojnë të parën.
Takimi referohet nga treshja: Igor Dragojevic, Zdravko Rutesic dhe Ognjen Jokic, ndërsa nis në ora 19e30.