BLERIM MAZREKU

BOROZANI/ D.S.
Peja, më e fortë se kurrë!
18 April, 2013 @1:38
Liderja e BKT Superligës, Peja, që nga xhiroja e dytë ka mbetur pa njërin prej basketbollistëve kyç të saj, Blerim Mazrekun. Qendra therandase kishte pësuar lëndim në ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës, që ishte zhvilluar më 7 tetor të vitit të kaluar.
Pas rreth 6 muaj pauze, Blerimi i është rikthyer parketeve të basketbollit kosovar në ndeshjen e djeshme ndaj Dritës, ku për rreth 15 minuta sa mbeti në fushë, arriti të realizoj 9 pikë, derisa skuadra e tij fitoi me rezultat 78-82.
Përveç Mazrekut, Peja më parë ka pasur probleme me lëndime edhe me basketbollistët, Dardan Berisha dhe Ersid Ljuca, por tani të gjithë janë të shëndoshë dhe janë të gatshëm për ndeshjet e Kupës së Kosovës dhe të garave të Playoff-it.
Tani, me përbërje të kompletuar, ekip cilësor dhe me bankë të gjërë, Peja synon që ta ketë fjalën kryesore në fazën përfundimtare të këtij stinori.